Turqia është çerekfinalistja e parë e Kampionatit Evropian në basketboll.
Të shtunën paradite në Riga të Letonisë, Turqia e mposhti Suedinë me rezultat 85:79, në ndeshjen e parë të një të tetës së finales së Eurobasketit.
Ndeshja ishte shumë e fortë dhe e hapur deri në aksionet e fundit.
Suedezët, ndonëse autsajderë, ishin në epërsi për kohë të gjatë dhe i bënë rezistencë të madhe Turqisë.
Basketbollisti shqiptar, Erxhan Osmani, ishte prej më të mirëve te Turqia. Ai luajti mbi 28 minuta, ndërsa i realizoi 14 pikë, nëntë kërcime e dy asistime.
Kenan Sipahi luajti 13 minuta për Turqinë, ndërsa e kishte një kërcim e një asistim. Alperen Shengun sërish udhëhoqi Turqinë me 25 pikë, 16 kërcime e gjashtë asistime.
Te Suedia u dallua Simon Birgander me 14 pikë, 13 kërcime e katër asistime.
Ludvig Hakanson i kishte 16 pikë e pesë asistime.