Skuadra e Trepçës ka shënuar fitore të rëndësishme në serinë finale të plejofit të elitës së basketbollit të Kosovës. Të dielën në mbrëmje, Trepça triumfoi 88:71 ndaj Bashkimit në Prizren, në ndeshjen e tretë të serisë finale. “Xehetarët” me këtë fitore kanë krijuar avantazh të madh sa i përket terrenit. Bashkimi kishte përfunduar në pozitën e parë në stinorin e rregullt, ndërsa Trepça e dyta. Në serinë finale e kishte përparësinë e terrenit. Në rast se do të luhej ndeshja e shtatë, ajo do të zhvillohej në Prizren. Por tani këtë avantazh e ka Trepça, që është duke fituar 2:1 në serinë finale. Ndeshja e katërt luhet të mërkurën në palestrën “Minatori”, në Mitrovicë.
Ndeshja e parë në Prizren ishte mbyllur 84:77 në të mirë të Bashkimit. Ballafaqimin e dytë e kishte fituar 79:72 skuadra e Trepçës. Ndeshje e barabartë dhe e zjarrtë si dy të tjerat pritej të ishte edhe të dielën mbrëma, sidomos pas kthimit të tifozëve prizrenas në tribuna. Bashkimi në ndeshjen e parë ishte i dënuar pas përleshjes së zyrtarëve të klubit me pjesëtarë të sigurimit në ndeshjen kundër Pejës. Por ndodhi e kundërta. Trepça ishte dominuese në parket nga fillimi e deri në fund.
Çerekun e parë, Trepça e fitoi me dy pikë epërsi, 17:15, ndërsa me pesë pikë epërsi, mitrovicasit shkuan në pushimin e gjatë, 37:32.
Dallimi në rezultat u bë në çerekun e tretë. Trepça e fitoi atë periudhë të lojës me rezultatin 24:13, ndërsa çerekun e fundit e fitoi me shifrat 27:26.
Në fitoren me 17 pikë epërsi të Trepçës, më i miri ishte Junior Madut. Madut e mbylli takimin me 16 pikë të realizuara, ndërsa kontribuoi edhe me gjashtë kërcime e katër asistime.
Michael Myres dha ndihmë të madhe në fitore me 13 pikë e tetë kërcime, ndërsa Michael Green shënoi 13 pikë, katër asistime e tri kërcime.
Drilon Hajrizi i kishte 11 pikë, ndërsa Mikaile Tmushiq i pati gjashtë pikë.
Te skuadra e Bashkimit, vetëm pesëshja e parë pati pikë dyshifrore. Jayveous McKinnis i shënoi 14 pikë, pesë kërcime e një asistim, ndërsa Valon Bunjaku i pati 13 pikë, pesë asistime e dy kërcime.
Me nga 12 pikë te Bashkimi ndeshjen e mbyllën Lejson Zeqiri, Dirk Williams dhe Mack Smith.
Bashkimi dhe Trepça pasi në stinorin e rregullt ishin në dy vendet e para, garën e plejofit e nisën nga gjysmëfinalja. Bashkimi e eliminoi Pejën, ndërsa Trepça ishte më e mirë se Sigal Prishtina. Të dyja fituan me rezultatin 3:1 në seritë gjysmëfinale.
Trepça e synon edhe një tjetër titull në elitën e basketbollit kosovar, pasi i fitoi të gjithë trofetë në sezonin e shkuar. Në këtë edicion e ka fituar Superkupën pasi fitoi ndaj Sigal Prishtinës, dhe Kupën e Kosovës. Në finalen për Kupë e mposhti Bashkimin.
Bashkimi është në kërkim të titullit të dytë në histori të klubit, dhe të parin prej vitit 2018. Trepça ka pesë tituj gjithsej.