Basketboll

Trepça gati për festë, Bashkimi kërkon fitoren e madhe

Myers

Tjetër e mërkurë, tjetër ndeshje mes Trepçës e Bashkimit. Dhe përfundimisht tjetër spektakël i basketbollit në palestrën “Minatori”.

A do ta mbrojë Trepça titullin e kampionit? A do ta sigurojë Bashkimi ndeshjen e shtatë dhe kështu ta kthejë përparësinë e terrenit? Kjo do të mësohet pas 40 minutave lojë, që pritet të jetë shumë interesante, si katër prej pesë finaleve të deritashme.

Ndeshja e gjashtë e serisë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll mes Trepçës dhe Bashkimit të Prizrenit zhvillohet të mërkurën prej orës 19:00. Aktualisht rezultati është 3:2 në të mirë të ekipit mitrovicas. Lojtarëve të Adis Beqiragiqit u duhet vetëm edhe një fitore për ta siguruar titullin e gjashtë në histori dhe të dytin rresht.

Bashkimit i duhen edhe dy fitore. Nëse fitojnë prizrenasit në Mitrovicë, ndeshja e fundit e serisë finale zhvillohet të dielën në “Sezai Surroi” në Prizren. Bashkimi po e kërkon titullin e dytë të kampionit. Të parin e kishte fituar në vitin 2018.

“Në tempullin tonë, në ‘Minatori’, asgjë nuk është e pamundur kur jemi bashkë. Ky është momenti. Të luftojmë së bashku për gjithçka që përfaqësojmë”, ka shkruar Trepça të martën.

Nuk ka dyshime që palestra buzë lumit Ibër do të jetë e stërmbushur me shikues. Interesimi për një biletë është shumë i madh.

“Jemi të bashkuar dhe të motivuar për të dhënë gjithçka”, kanë shkruar prizrenasit.

Trajneri i Trepçës, Adis Beqiragiq tashmë ka fituar shumë trofe në basketbollin kosovar. E njeh shumë mirë ligën dhe po ashtu rëndësinë e ndeshjes në shtëpi.

“Shpresoj që me tifozët tanë do të luajmë shumë më mirë, më të koncentruar në disa pjesë vendimtare të ndeshjes”, ka thënë boshnjaku Beqiragiq pas ndeshjes së pestë të zhvilluar në Prizren.

Trajneri i Bashkimit, Vladimir Stankoviq, po punon për herë të parë në Kosovë. Kroati është shprehur optimist para udhëtimit në Mitrovicë.

“Besoj shumë se është koha jonë. Ishim shumë afër në ndeshjet e kaluara në Mitrovicë. Ka vendosur ndonjë detaj, apo mungesa e fatit. Do të shihemi të dielën e ardhshme në Prizren”, ka thënë Stankoviq, duke paralajmëruar se gara nuk do të vendoset në Mitrovicë.

Bashkimi e fitoi finalen e parë me rezultat 84:77. Trepça barazoi në ndeshjen e dytë, të cilën e fitoi 79:72. Në ndeshjen e tretë për Bashkimin nuk u paraqit Wendell Green dhe “xehetarët” fituan në Prizren me rezultat 88:71, për të bërë hap gjigant drejt titullit. Vazhduan me fitore në ndeshjen e katërt në Mitrovicë, që përfundoi 80:74.

Prizrenasit reaguan të dielën, kur para tifozëve të tyre fituan 85:77, ndonëse ndeshja ishte shumë dramatike dhe e hapur deri në fund.

Tani është radha për ndeshjen e gjashtë. Se a do të jetë e fundit do të mësohet të mërkurën mbrëma.