Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Basketboll

Trepça e kërkon Kupën e pestë rresht, Bashkimi të dytën në histori

KB Trepça

Njëra prej ndeshjeve më të rëndësishme të gjithë edicionit në basketbollin kosovar zhvillohet të mërkurën prej orës 19:30 në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.

Trepça dhe Bashkimi përballen në finale të Kupës së Kosovës. Bëhet fjalë për dy skuadrat që kanë shfaqur formën më të mirë këtë edicion në basketbollin kosovar.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Bashkimi ishte lider për disa javë e më pas Trepça e zëvendësoi në krye të tabelës. Aktualisht “xehetarët” janë në seri prej 12 fitoreve në Superligë. Pas xhiros së 20-të udhëheqin në tabelë me 37 pikë, tri më shumë se Bashkimi i vendit të dytë.

Gara për Kupë nisi me çerekfinale. Trepça e kaloi Golden Eagle Yllin, ndonëse e humbi ndeshjen e parë në “Minatori”. Ndërkohë Bashkimi në çerekfinale e eliminoi Pejën, ndaj të cilës i fitoi të dy ndeshjet.

Në gjysmëfinale, Trepça kishte punë të lehtë me Borën. Por edhe Bashkimi shënoi dy fitore bindëse ndaj Sigal Prishtinës.

Dhe të mërkurën mbrëma vetëm njëra prej skuadrave do të festojë. Palestra në Rahovec pritet të mbushet përplot me shikues. Nga 1000 bileta janë ndarë për shikuesit në Mitrovicë dhe ata në Prizren. Dy tifo-grupet kanë paralajmëruar pjesëmarrje masive.

Trepça ka dominuar garën për Kupë në vjetët e fundit, njëjtë si gjithë basketbollin kosovar. Kupën e ka fituar katër herë rresht, nga viti 2022 e tutje. Gjithsej këtë trofe mitrovicasit e kanë fituar tetë herë. Finalen e vitit 2022 dhe atë të vitit të kaluar, Trepça i fitoi pikërisht ndaj Bashkimit.

Ekipi prizrenas e ka fituar Kupën e Kosovës vetëm në vitin 2001. Ndërkohë ka humbur plot tetë finale.

Në Superligë, Trepça e Bashkimi këtë edicion janë takuar tri herë. Më 26 tetor, në kuadër të xhiros së tretë, Bashkimi fitoi në Mitrovicë me rezultat 93:79. Më 10 dhjetor, në kuadër të xhiros së dhjetë, Trepça fitoi në Prizren me shifrat 71:64. Skuadra mitrovicase e fitoi edhe ndeshjen e xhiros së 17-të, të luajtur më 25 janar në “Minatori”, me rezultatin 90:81.

Të dy skuadrat janë të “mbushura” me lojtarë të huaj dhe lojtarë cilësorë të vendit. Dhe ndeshja në “Mizahir Isma” pritet të jetë spektakël basketbolli.