Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Basketboll

Trepça e Bashkimi i bashkohen plejofit si favoritë

Plejof

Trepça e Bashkimi e fillojnë garën në plejof prej fazës gjysmëfinale. Dhe të dy skuadrat vlerësohen favorite për të bërë vend në finale të garave shtesë të Superligës së Kosovës në basketboll.

Bashkimi përballet me Borën e Prishtinës, me ndeshjen e parë që zhvillohet të mërkurën prej orës 19:30 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ndërkohë Trepça luan me Pejën. Ndeshja e parë është të enjten prej orës 19:30 në “Minatori”.

Gjysmëfinalja zhvillohet deri në tri ndeshje të fituara. Dhe ka shumë arsye pse Trepça e Bashkimi favorizohen për kualifikim në finale.

Bashkimi e ka përfunduar stinorin e rregullt në pozitën e dytë me bilanc prej 20 fitore e tetë humbje. Dhe kishte kohë të mjaftueshme për të përgatitur gjysmëfinalet me Borën, skuadrën pa traditë dhe pa përkrahje të tifozëve. Përkrahja e tifozëve, dhe natyrisht, zhvillimi i ndeshjes së pestë eventuale në Prizren, është tjetër faktor që favorizon Bashkimin. Kjo skuadër po ashtu e ka traditën, ndërsa me Borën në stinorin e rregullt kishte dy fitore e dy humbje.

Megjithatë, e mposhti skuadrën prishtinase bindshëm në xhiron e fundit, 96:70.

Bora e kaloi lehtë çerekfinalen, duke fituar po ashtu bindshëm dy ndeshjet me Prishtinën. Bora i ka arritur synimet dhe fakti se nuk e ka presionin e rezultatit mund t’i shkojë në favor. Stinorin e rregullt Bora e përfundoi në vendin e tretë me 14 fitore e 14 humbje.

E pakonkurrencë në stinorin e rregullt ishte kampionia në fuqi, Trepça. Skuadra mitrovicase i shënoi plot 25 fitore, ndërsa i pësoi vetëm tri disfata. Përfundoi e para dhe në gjysmëfinale ishte e lirë. “Xehetarët” në Superligë janë në seri prej plot 20 fitoreve. Humbjen e fundit e kanë pësuar nga Vëllaznimi, më 7 dhjetor. Një humbje e kishin nga Bashkimi e një pikërisht nga Peja, në kuadër të xhiros së parë, në “Minatori” më 5 tetor.

Për shkak të dominimit të plotë në vitet e fundit, serisë së gjatë pa humbje dhe skuadrës së konsoliduar dhe stabile, Trepça llogaritet favorite e plejofit. Trepça tashmë ka fituar Kupën e Kosovës.

Peja stinorin e rregullt e përfundoi në vendin e pestë me 11 fitore e 17 humbje. Ka vuajtur për stabilitet thuajse gjatë gjithë edicionit, por e ngriti formën në çerekfinale të plejofit. Pasi e humbi ndeshjen e parë në Suharekë, fitoi ndaj Golden Eagle Yllit në shtëpi dhe në udhëtim dhe bëri vend në gjysmëfinale. Tani pejanët synojnë të shkojnë edhe më lart – në finale.