Basketboll

Tifozët e Pejës refuzojnë dialogun, kryesia largimin

Klubi Peja

Tifozët e skuadrës së Pejës, kanë paralajmëruar se do të marrin masa të rënda nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.

Në pikën e parë të tifo-grupit pejan “UCF” kërkohet shkarkimi i Art Gashit, Elvidon Camajt, Arbër Hashit dhe Ervin Muharemit nga pozitat udhëheqëse të klubit, ndërsa në pikën e dytë është bërë thirrje për mbajtje të kuvendit zgjedhor. Kërkesat e tifozëve pejan u publikuan të shtunën mbrëma pas disfatës së pësuar nga Bora dhe përjashtimit nga liga ENBL.

Tifozët kanë akuzuar se kryesia e klubit është pa mandat ligjor.

“Pa shkarkim publik dhe pa publikimin zyrtar të vendimeve të klubit, për shkak të transparencës ndaj qytetit dhe tifozëve, nuk ka as takim e as diskutim. KB Peja nuk është pronë private, por klub i qytetit, dhe çdo vendim duhet me qenë i hapur për publikun”, shkruan në postimin e tifo-grupit “UCF”.

Peja të shtunën u mposht nga Bora me rezultatin 88:68 dhe kështu e regjistroi disfatën e pestë radhazi.

Po të shtunën GO+Peja u përjashtua edhe nga liga ENBL.

Përjashtimi vjen pasi Peja ka refuzuar të luajë ndeshjen e radhës ndaj BK Olomouckos e cila ishte e paraparë të luhet të hënën e ardhshme.

Sipas njoftimit, Peja e ka njoftuar ligën ENBL të premten për anulimin e ndeshjes së ardhshme.

Peja hoqi dorë edhe nga ndeshja e 13 janarit ndaj Olomouckos për shkak se kishte prioritet ndeshjet kampionale.

Peja në “European North Basketball League” kishte pesë humbje dhe vetëm një fitore.

Peja të enjten e kaluar u eliminua nga Kupa e Kosovës duke u mposhtur edhe në çerekfinalen e dytë ndaj Bashkimit të Prizrenit.

Ndaj Bashkimit, tifozët pak para fundit hedhën mjete tymosëse në parket pas pakënaqësive. Dhe ata më pas akuzuan kryesinë e klubit për gjendjen e krijuar, jo lojtarët. Kanë paralajmëruar se do të metë veprime edhe më drastike se ajo e ndeshjes kundër Bashkimit.

“Fatkeqësisht fati i secilës ndeshje do të jetë shume më i keq se lojën e kaluar”, shkruan në shkrimin e tifo-grupit pejan.


Gashi: Kuvendi zgjedhor në qershor

Te GO+Peja kanë thënë se kuvendi zgjedhor do të mbahet pas përfundimit të edicionit aktual.

Kryetari i klubit, Fatmir Gashi, ka thënë se zgjedhjet në klub do të mbahen në qershor. Ai ka paralajmëruar se gjatë javës do të përforcohen me dy apo tre lojtarë.

“Do të vazhdoj derisa të kryhet ky edicion. Ne kemi obligime ndaj sponsorëve të cilat duhet t’i kryejmë. Dhe pasi përfundon edicioni mbahet kuvendi zgjedhor, dalin njerëzit, konkurrojnë për kryetar, anëtar bordi. Nuk ka nevojë të shkojmë me teka të secilit. Duhet të presim momentin. Kuvendi është dashur realisht të mbahet në janar, por u shty për shkaqe të ndryshme dhe do të mbahet në fund të kampionatit, pasi në mes të kampionatit nuk është në rregull. Kur të kryhet kampionati, do të zgjidhen organet e reja.

Gashi pret mirëkuptimin e tifozëve. Ka bërë me dije se nuk do të konkurrojë për një mandat tjetër në krye të Pejës.

“Do të duhej të kishte mirëkuptim. Ne nuk kemi asgjë me ata. Edhe ne jemi të shqetësuar me rezultatet ashtu siç janë ata. Sporti i ka rëniet dhe ngritjet e veta. Duhet t’i kuptojmë. Ne jemi shumë të shqetësuar të gjithë, plotësisht i kuptoj, por mënyrën se si mendojnë është pak joinstitucionale dhe duhet pritet. Në qershor le të përgatitet kush të dojë, unë nuk e kam ndërmend. Nuk ka nevojë të shqetësohemi, të prishemi. Nuk ka nevojë të bëhen gjeste në palestër dhe të hidhen mjete piroteknike në palestër. Në qershor bëhet ndërrimi dhe nuk ka kurrfarë problemi. Unë nuk jam më i interesuar, kjo është e sigurt”, është shprehur Gashi.


FBK: Klubet duhet të fokusohen në garat zyrtare të FIBA-s

Javë më parë kishte zhvillime të ngjashme edhe te klubi i Sigal Prishtinës.

Tifo-grupi “Plisat” kërkuan largimin e kryesisë. Edhe pas ndryshimeve “Plisat” nuk u pajtuan.

Rinor Grajqevci tashmë është emëruar ushtrues detyre i kryetarit të klubit të basketbollit Sigal Prishtina.

Përmes autorizimit të Bekë Berishës, i cili u zgjodh kryetar i klubit, Grajqevci emërohet edhe nënkryetar i klubit, ndërsa do të ushtrojë të gjitha funksionet e kryetarit gjatë mungesës së Berishës. Dokumenti specifikon se autorizimi ka fuqi të plotë juridike dhe do të jetë i vlefshëm deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të klubit.

Grajqevci ishte udhëheqës i tifo-grupit “Plisat”.

Kryetari i KB Peja, Fatmir Gashi, ka folur edhe për krizën e rezultateve të Pejës.

Ai ka thënë se orari i ngjeshur ua ka pamundësuar zhvillimin e ndeshjeve në ENBL.

“Federata na ka bërë të qartë se nuk e ndryshon orarin e garave për shkak të kësaj lige, e cila është private dhe jo e FIBA-s. Ne kemi kuptuar dhe e kemi pranuar, por derisa u bë shtyrja e ndeshjes në ligën unike, ishte marrë vendimi të mos luhet ndeshja. Ne nuk jemi tërhequr. Është e pamundur për një klub të Kosovës t’i përballoj tri ndeshje brenda javës”, ka theksuar Gashi.

Në Federatën e Basketbollit e Kosovës (FBK), thonë se largimi i ndonjë klubi të Kosovës nga garat ndërkombëtare nuk është i mirë. Por kanë theksuar se në të ardhmen, klubet duhet të analizojnë mirë kalendarin para se të marrin pjesë në ndonjë garë ndërkombëtare.

“Për ekipet tona është mësim që fokusi të jetë në garat zyrtare, ndërsa ato të pranuara ende nga FIBA të jenë në plan të dytë apo tretë. E kanë parë që orari është i ngjeshur dhe ka ardhur deri te kjo situatë”, ka thënë sekretarja e FBK-së, Elvira Dushku.

Dy vjet më parë Liga ENBL e kishte përjashtuar KB Sigal Prishtinën nga gara, për shkak të obligimeve të papërfunduara financiare.