Basketboll

Bashkimi fiton ndeshjen e tensionuar në Pejë, kualifikohet në finale

Peja-Bashkimi

Bashkimi i Prizrenit është finalisti i dytë i plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.

Bashkimi e siguroi finalen të enjten mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë. E mposhti skuadrën pejane me rezultat 84:78.

Për Bashkimin ishte fitorja e tretë në serinë gjysmëfinale, sa edhe kërkohen për kualifikim në finale.

Ndeshja në Pejë, si shumë ndeshje tjera të plejofit, është përcjellë me incidente. Në fillim të çerekut të katërt, një tifoz, që ishte në parket, e goditi me top basketbollistin e Bashkimit, Jayveous McKinnis. Amerikani iu afrua me vrull, ndërsa tifozi e shtyu në trup. Janë afruar edhe lojtarë tjerë të Bashkimit dhe u krijua një tollovi. Tifozët u larguan nga ajo pjesë e parketit dhe ndeshja vazhdoi pas pak minutash. Ndërkohë, tetë sekonda para fundit, në fushën e lojës u hodhën mjete të shumta plasëse. Madje një mjet shpërthyes është hedhur shumë pranë këmbëve të Altin Morinës, basketbollistit të Bashkimit. Ndeshja u ndërpre sërish, ndërsa vazhdoi pas largimit të të gjithë tifozëve nga palestra.

Prizrenasit kanë dominuar në parket. Çerekun e parë e fituan 16:13, ndërsa të dytin 24:22. Pas 20 minutave lojë Bashkimi kishte epërsi prej pesë pikëve, 40:35.

Në fund të çerekut të tretë epërsia e prizrenasve ishte shtatë pikë, 59:52. Në çerekun e katërt Peja u afrua në tri pikë, por jo edhe më shumë. Lojtarët e Bashkimit e mbyllën ndeshjen me qetësi dhe siguruan finalen.

Fundori Wendell Green udhëhoqi Bashkimin me 28 pikë e gjashtë asistime. McKinnis i realizoi 17 pikë e tetë kërcime, ndërsa Dirk Williams i shtoi 18 pikë. Mack Smith ndeshjen e përfundoi me 13 pikë, katër kërcime e tri asistime.

Te Peja më i miri ishte Marquez Townes me 28 pikë e pesë kërcime. Darryl Morsell i shënoi 18 pikë, ndërsa shtoi gjashtë kërcime e katër asistime. Tulio Da Silva ndeshjen e përfundoi me 17 pikë e pesë kërcime.

Në finale të plejofit, Bashkimi do të përballet me Trepçën, kampionen në fuqi. Ndeshja e parë do të zhvillohet në fundjavë, në Prizren. Seria finale zhvillohet deri në katër fitore. Ndeshja e shtatë eventuale do të luhet në Prizren për faktin se Bashkimi përfundoi më lart se Trepça në stinorin e rregullt. Bashkimi ishte i pari e Trepça e dyta. Edhe Trepça fitoi 3:1 në gjysmëfinale ndaj Sigal Prishtinës.

Bashkimi e fitoi ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj Pejës me rezultat 81:61. Peja u përgjigj në ndeshjen e dytë, në “Karagaçi”, duke fituar 84:79. Bashkimi fitoi edhe të dielën në Prizren, 84:78, në ndeshjen që e shënoi një incident i rëndë, përkatësisht rrahje mes drejtuesve të Bashkimit dhe pjesëtarëve të sigurimit. Për shkak të atij incidenti, ndeshja e parë finale do të luhet pa shikues në tribuna.