Basketboll

Te Trepça po përgatiten për festë në Prizren

Trepça

Fitorja ndaj Bashkimit në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren do të ishte me shumë vlerë të madhe për Trepçën e Mitrovicës. Do ta festonte titullin e kampionit. Të gjashtin në histori.

Por te Trepça pranojnë se është ende herët për festë. Insistojnë se u duhet shumë angazhim të dielën.

Ndeshja e pestë finale e plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll ndërmjet Bashkimit dhe Trepçës luhet nga ora 19:00.

“Është e vërtetë që jemi një fitore larg titullit, por për neve asgjë nuk ka përfunduar deri në momentin që i bëjmë katër fitore. Do të shkojmë në Prizren me synimin e qartë, për të dhënë maksimumin siç bëjmë ne në çdo ndeshje”, ka thënë Mikaile Tmushiq për KOHËN të enjten.

Tmushiq prej kohësh është prej basketbollistëve më të mirë te “xehetarët”. Të mërkurën nuk i pati statistikat më të mira, por ishte prej më të mirëve në parket.

Ai e mbylli ndeshjen me dhjetë pikë e tri kërcime.

Michael Myres e dha kontributin më të madh me 21 pikë, gjashtë kërcime e dy asistime, ndërsa Michael Green i shënoi 16 pikë, shtatë kërcime e pesë asistime.

Tmushiq thotë se dëshira do të ishte më e madhe nëse titulli do të fitohej para tifozëve të zjarrtë mitrovicas. Por, ka shtuar se nëse do ta kenë mundësinë, titullin do ta fitojnë në Prizren.

“Do të ishte diçka e mrekullueshme për tifozët tanë që titullin ta fitonim në Mitrovicë, duke pasur parasysh faktin që ‘Torcida’ është tifogrupi më i mirë në Kosovë. Por ne dëshirojmë të fitojmë në çdo ndeshje, palestra nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi është të shpallemi kampion, pa marrë parasysh a ndodh kjo në Prizren apo Mitrovicë”.

Trepça është duke udhëhequr me rezultatin 3:1, falë fitores 80:74 të arritur të mërkurën mbrëma në palestrën “Minatori”.  

Njësoj si sfidat e tjera të serisë finale, edhe ajo e së mërkurës u vendos krejt në fund. Mitrovicasit kishin vetëm dy pikë epërsi 76:74, 25 sekonda para fundit. Wendell Green Jr. u bllokua në aksionin e prizrenasve nga Junior Madut, i cili më pas u faulua dhe i realizoi dy gjuajtjet e lira. Trepça nuk e lëshoi fitoren nga duart për të bërë hap të madh drejt një tjetër titulli.

“Mendoj se e merituam fitoren. Kemi avantazh të vogël dhe po e presim ndeshjen tjetër. Uroj që fitorja e katërt të vijë në Prizren”, ka thënë trajneri Adis Beqiragiq pas ndeshjes.

Fitorja e tretë e Trepçës në serinë finale, thotë Tmushiq, e ka shfaqur karakterin e vërtetë të ekipit. Trepça në fillim të çerekut të tretë kishte disavantazh prej 15 pikëve, 52:37. Por më pas mitrovicasit realizuan seri prej 19:0, që në fund doli të jetë vendimtare. Për pesë minuta, nga rezultati 52:37 për Bashkimin, Trepça doli në epërsi prej katër pikëve, 56:52.

“Loja e fundit kishte ngritje-ulje për të dyja ekipet. Por ne treguam karakterin që kemi, sidomos në pjesën e dytë kur rikthyem rezultatin dhe e menaxhuam atë deri në fund, për të dalë triumfues para tifozëve tanë”, është shprehur Tmushiq.

Basketbollisti i Trepçës, megjithatë, tregohet i kujdesshëm për ndeshjen e radhës.

“Ndeshja e ardhshme mund të jetë krejtësisht ndryshe nga ndeshjet e kaluara. Nuk e dimë se çfarë mund të ndodhë. Por ajo që është e sigurt është se ne do të japim 100 për qind nga forca që kemi”.

Trepça në edicionin e kaluar i fitoi të gjithë trofetë në Kosovë. Tani është në kërkim të mbrojtjes së titullit, që do të ishte i gjashti në histori. Trepça përveç vitit të kaluar, titullin e ka fituar edhe në vitet 1993, 2000, 2001 dhe 2012.

Ndërkohë Bashkimi e kërkon titullin e dytë në histori. Të vetmin titull e fitoi në vitin 2018, ndërsa i ka edhe dy finale të humbura nga KB Prishtina, në vitet 2009 dhe 2017.