Pa turne të Superkupës dhe me paqartësi për qasje në një pjesë të palestrave, fillon edicioni i ri i Superligës së Kosovës në basketboll.
Ndeshjet e xhiros së parë zhvillohen këtë fundjavë, ndërsa disa prej tyre vlerësohen shumë të forta. E gjithë gara për titull të kampionit pritet të jetë interesante dhe e fortë. Dhe shenjat janë që numri i shikuesve në palestra, apo në shumicën e tyre, do të jetë goxha i madh.
Trepça e kishte palestrën gati të mbushur me shikues edhe për miqësore. Mbi 100 tifozë udhëtuan për në Bullgari për ta përkrahur skuadrën mitrovicase në ndeshjen kualifikuese të Ligës së Kampionëve.
Shumë shikues kishte edhe Bashkimi në miqësore e po ashtu në ndeshjen kualifikuese të FIBA Europe Cup.
Më pak shikues kishte në ndeshjen e kësaj jave që Sigal Prishtina e luajti në ligën ENBL. Por për kampionat gjërat pritet të ndryshojnë. Edhe në palestrat e tjera kishte shikues për miqësore, ndërsa për garën kampionale pritet numër dukshëm më i madh.
Të gjitha skuadrat kanë nisur me kohë stërvitjet, kurse shtatë prej tyre kanë trajnerë të huaj prej të cilëve presin shumë. Po ashtu të gjitha tetë skuadrat e Superligës janë kompletuar me basketbollistë të huaj, kryesisht amerikanë. Me disa janë të kënaqur e me disa jo. Ndryshimet në përbërje janë të pashmangshme, por baza e skuadrave pritet të mos ndryshojë shumë.
Katër skuadrat kryesore të basketbollit kosovar do të jenë të angazhuara të paktën në “dy fronte”. Trepça e Bashkimi do të luajnë edhe në FIBA Europe Cup, ku kanë synime të mëdha. Sigal Prishtina e Peja garojnë në ENBL, garë ndërkombëtare që është rritur goxha shumë për këtë edicion.
Por, të paktën për tifozë, fokusi kryesor do të jetë në garën për titull të kampionit të Kosovës. Për asnjë ndeshje ndërkombëtare nuk ka më shumë interesim se për derbit e mëdhenj të basketbollit kosovar, ku janë të përfshirë Trepça, Bashkimi, Sigal Prishtina e Peja.
Dhe që në xhiron e parë luhet një derbi i madh. Të dielën nga ora 19:00 në palestrën “Minatori” takohen Trepça e Peja.
Trepça e mbron titullin e kampionit, ndërsa sërish vlerësohet prej pretendenteve kryesore. Peja po ashtu ka pretendime të mëdha, ndërsa forca e të dy skuadrave do të testohet në arenën “e zjarrtë” buzë lumit Ibër.
Me shumë interesim pritet edhe ndeshja mes Golden Eagle Yllit dhe Sigal Prishtinës, që zhvillohet të shtunën nga ora 19:00.
Dy ndeshjet e tjera të xhiros së parë janë Bora – Rahoveci 029 dhe Vëllaznimi – Bashkimi. Ndeshja mes Borës dhe skuadrës së promovuar në Superligë, Rahoveci 029, luhet të dielën nga ora 17:00, në Prishtinë. Ndërkohë ndeshja mes Vëllaznimit dhe Bashkimit luhet në Prizren, po ashtu të dielën nga ora 17:00.
Me arsyetim për të mos ndikuar në rrjedhën e garës në Superligë, FBK-ja ka vendosur të mos e organizojë garën e Superkupës. Ndërkohë për shkak se shumica e palestrave do të shfrytëzohen për numërimin e votave nga zgjedhjet lokale, xhiroja e dytë e Superligës do të zhvillohet vetëm më 18 e 19 tetor.