Vëllaznimi i Gjakovës e ka fituar ndeshjen e tensionuar ndaj Sigal Prishtinës me rezultatin 74:69.
Në ndeshjen që u zhvillua të shtunën në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë pati edhe arrestime.
Në fundin e çerekut të katërt, arbitri kryesor u sulmua nga një person. Por policia e Kosovës reagoi shpejt dhe e arrestoi personin i cili e sulmoi arbitrin.
Ndeshja ndërmjet Vëllaznimit dhe Prishtinës i takoi xhiros së 20-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Ndeshja ishte e barabartë deri në momentet e fundit.
Prishtina e fitoi çerekun e parë me një pikë epërsi, 20:19. Klubi nga kryeqyteti e fitoi edhe çerekun e dytë me rezultat 16:13 dhe shkoi në pushim me katër pikë epërsi, 36:32.
Çereku i tretë përfundoi me rezultat baras 19:19. Vëllaznimi bëri diferencën në dhjetëminutëshin e fundit duke e fituar me shifrat 23:14.
Më i dalluari te klubi nga Gjakova ishte Yor Anei me 24 pikë, tri kërcime dhe një asistim.
U veçua edhe Jericole Hellems me 21 pikë, gjashtë kërcime dhe tri asistime.
Ndërsa lojë të mirë te Prishtina kishte Elijah Clarance me 19 pikë, shtatë kërcime dhe pesë asistime.
Te Prishtina lëndim të rëndë pësoi Don Polloshka. Për Prishtinën ishte edhe humbja e tretë radhazi në kampionat.