Sigal Prishtina është kthyer te fitorja në elitën e basketbollit kosovar pas ecurisë prej tri humbjeve të njëpasnjëshme.
Të enjten mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, Sigal Prishtina fitoi me shumë vështirësi ndaj Rahovecit 029.
Ndeshja e xhiros së 10-të u mbyll me rezultatin 75:73 në të mirë të “bardhekaltërve”.
Pjesa e parë u mbyll 39:38 në të mirë të vendësve, ndërsa sfida u vendos në sekondat e fundit.
Dy minuta para fundit të ndeshjes, Rahoveci 029 kishte epërsi prej tri pikëve, 73:70, pas trepikëshit të shënuar nga Anthony Patty.
Adrio Bailey u kundërpërgjigj me treshe 44 sekonda para fundit të gjithë ballafaqimit.
Isaiah Umipig në aksionin e radhës te mysafirët dështoi të shënonte, ndërsa Deondre Burns ishte i pagabueshëm te Sigal Prishtina për 75:73. Tentimin e fundit për rahovecasit e pati Kentrell Pullian, por nuk ishte i saktë.
Te Sigal Prishtina me statistikat më të mira ishte Kelby Kramer me 8 pikë, 11 kërcime e një asistim, kurse më së shumti pikë të realizuara në fitore kishte Bailey, 22 gjithsej. Burns i shtoi 19 të tjera, ndërsa Don Polloshka e mbylli ndeshjen me 10 pikë.
Julian Roche me 17 pikë, pesë kërcime e një asistim ishte më i dalluari te Rahoveci 029. 17 pikë i pati edhe Patty.
Sigal Prishtina ka pesë fitore e po aq humbje, ndërsa për Rahovecin 029 ishte humbja e gjashtë. I ka edhe katër fitore.