Ndikimi i basketbollistëve të vendit në Superligën e Kosovës sa shkon e zvogëlohet. Ka shumë të dhëna që e konfirmojnë këtë. Ndër të tjera edhe pesëshja më e mirë e xhiros, të cilën e shpall Federata e Basketbollit e Kosovës duke u bazuar në të dhënat statistikore.
Në pesëshen më të mirë, basketbollistët e huaj, përkatësisht amerikanë, dominojnë plotësisht. Për shembull në xhiron e shtatë, që u zhvillua të shtunën e të dielën. Chad Brown i Trepçës u shpall më i miri i xhiros së shtatë. Pos tij në pesëshen më të mirë janë përzgjedhur edhe Julian Roche i Rahovecit 029, Isaiah Cousins i Bashkimit, Tajh Green i GO+ Pejës dhe Isiah Umipig i Rahovecit 029.
Në xhiron e gjashtë më i miri u shpall Kyan Anderson i Bashkimit. Në pesëshen më të mirë zuri vend vetëm Drilon Hajrizi i Trepçës. Katër të tjerët ishin amerikanë, dy të Bashkimit, një i Sigal Prishtinës e një i Borës.
Në xhiron e pestë më i vlefshmi u shpall Cesare Edwards i Pejës. Në pesëshe iu bashkuan katër të huaj të tjerë.
Kyan Anderson ishte më i miri edhe në xhiron e katërt. Krahas tij në pesëshe ishin Cousins i Bashkimit, Ziggy Reid i Vëllaznimit, Alan Herndon i Pejës dhe Mustapha Amzil i Trepçës.
Në xhiron e tretë i vetmi prej vendorëve në pesëshe ishte Dardan Berisha i Pejës. Katër të tjerët, duke përfshirë më të mirin, ishin të huaj.
Vetëm java e dytë dalloi. Në pesëshe ishin Batin Tuna i Trepçës, Arian Azemi i Prishtinës, Lejson Zeqiri i Bashkimit, Alan Herndon dhe Malcolm Armstead të Pejës. Amerikani Armstead luan si vendor.
Edhe në xhiron e parë e gjithë pesëshja e parë ishte e përbërë me lojtarë të huaj.
Dardan Berisha 37-vjeçar dhe Drilon Hajrizi 34-vjeçar vazhdojnë të jenë prej lojtarëve kryesorë vendorë në Superligë. Basketbollistët e tjerë të vendit, duke mos llogaritur ata që u “natyralizuan” në mënyra të ndryshme, ndonjëherë edhe të dyshimtë, nuk po i afrohen nivelit të Berishës dhe Hajrizit. Dhe kjo vlerësohet po ashtu shqetësuese. Është edhe dëshmi që basketbolli kosovar nuk po nxjerrë të rinj cilësorë.
Berisha e Hajrizi janë prej lojtarëve kryesorë edhe te Kosova, që në fund të javës luajnë ndeshje kualifikuese me Shqipërinë në Shkodër.
Skuadrat e basketbollit janë të mbushura me lojtarë të huaj. Ata kanë barrën kryesore për rezultate dhe kryesisht janë dukshëm më të paguar se vendorët. Kjo nuk po ndryshon për shumë e shumë vjet. Gjëja e vetme që po ndryshon është “tkurrja” e ndikimit të lojtarëve vendorë, por edhe e numrit të tyre po ashtu.