Basketboll

Peja mposhtet thellë në Greqi, pëson plot 122 pikë

Iraklisi

Plot 122 pikë i ka pësuar Peja në ndeshjen e radhës në ligën ndërkombëtare ENBL.

Skuadra pejane e basketbollit të martën mbrëma pësoi 122:80 nga Iraklisi.

Ndeshja me efikasitet shumë të lartë është dominuar nga skuadra greke, kurse dallimi në fund ishte plot 42 pikë.

Peja e ka pësuar humbjen e pestë në “European North Basketball League”, ndërsa e ka vetëm një fitore. Ndeshjen e kaluar e humbi me rezultatin zyrtar, pasi nuk udhëtoi me synim që të fokusohet në sfidat kampionale.

“Të hendikepuar nga mungesat e shumta dhe ‘rosteri’ i shkurtër, nuk arritëm të luftonim më shumë sonte”, ka shkruar Peja.

Tyron Flatten  ishte më efikasi te Peja me 23 pikë. 14 pikë i realizoi Cesare Edwards.

Iraklisi është prej skuadrave më të mira në ENBL. E shënoi fitoren e gjashtë, ndërsa e ka vetëm një humbje.