Basketboll

Peja kthehet në “Karagaçi”, e kërkon fitoren e parë në ENBL

KB Peja

Pas një kohe të gjatë, skuadra e basketbollit Peja do të luajë para tifozëve të saj në palestrën “Karagaçi”. Për shkak të numërimit të votave në këtë arenë e po ashtu për shkak të aktiviteteve tjera sportive ndërkombëtare, Peja ka disa javë që ka luajtur jashtë palestrës së saj, edhe si vendase.

Në “Karagaçi”, skuadra e verdhë kthehet për ndeshjen e ligës ndërkombëtare ENBL, ndaj skuadrës bullgare Spartak Pleven. Ndeshja luhet të martën nga ora 19:30. 

Peja synon të kthehet me fitore, që do të ishte e para në “European North Basketball League”.

Fillimisht Peja humbi si vendase në Prishtinë nga Riga Zelli e Letonisë. Më pas humbi edhe nga Dubrava në Kroaci.

Në ENBL paraqitet edhe Sigal Prishtina. Prishtina ka dy fitore deri më tani. Ndeshjen e radhës e luan të mërkurën mbrëma ndaj Slovan Bratislavës në Sllovaki.