Klub i basketbollit GO+ Peja doli me një komunikatë, përkatësisht me letër të hapur ndaj Shoqatës së Gjyqtarëve të basketbollit kosovar.
Peja ka ankesa me punën e gjyqtarëve në ndeshjen ndaj Bashkimit në Prizren, të zhvilluar të dielën mbrëma. Bashkimi e fitoi me rezultat të ngushtë ndeshjen dramatike.
Peja e mori përgjegjësinë për humbjen, por megjithatë atakoi punën e arbitrave.
“Kurrsesi nuk mund të kalohen disa insinuata të qëllimshme dhe inskenime amatore si ato të gjyqtarit të parë, Ngadhnjim Shabani, gjatë ndeshjes së mbrëmshme kundër Bashkimit. Tashmë e kanë parë të gjithë, përmes kamerave televizive, kur gjyqtari tjetër, Eldin Uglari, i është drejtuar Ngadhnjim Shabanit me vlerësimin e tij: ‘Për mua nuk është me qëllim’, ndërsa gjyqtari i parë, Shabani, i është përgjigjur me fjalët: ‘E marr unë përsipër’. Ky është një rast që e kanë parë të gjithë mbrëmë. Nuk po flasim për kriterin e referimit, sepse aty ka ndodhur diçka që nuk e kemi parë kurrë: 24 gjuajtje të lira për ekipin vendas dhe vetëm 2 gjuajtje të lira për ekipin tonë. Ky nuk është kriter, për standarde as që bëhet fjalë”, ka shkruar Peja ndër të tjera.
Në komunikatë janë paraqitur edhe disa raste të tjera për të cilat Peja pretendon se është dëmtuar. Komunikata ka edhe “dozë kërcënimi”.
“Duam ta bëjmë të qartë se GO+ Peja nuk do të tolerojë më asnjë veprim të qëllimshëm nga asnjë zyrtar që vjen në ndeshje dhe mendon se mund të tallet me një qytet të tërë. Duhet ta kuptoni se ne investojmë shumë dhe kurrë nuk do të lejojmë të mposhtemi nga bilbili i gjyqtarit, apo nga ai që i bie bilbilit sipas dëshirës”.
Reagimi i Pejës vjen vetëm një ditë pasi gjyqtarët dhe FBK-ja reaguan për sulmin fizik të një zyrtari të Vëllaznimit ndaj një arbitri.
Peja e ka dënuar dhunën në Gjakovë. Por ka shkruar se arbitrat bëjnë dhunë psikike ndaj njerëzve në klube.
“Mirëpo, nëse merremi vetëm me pasojën dhe jo me shkakun, nuk do të mund të zgjidhim asnjë problem. Ajo që po ndodhë me gjyqtarët tanë është dhunë psikike ndaj të gjithë atyre që merren me organizimin e klubeve dhe investojnë aty. Prandaj është koha e fundit që ata të ndryshojnë qasjen dhe performancën e tyre në ndeshje të Superligës. GO+ Peja bën thirrje dhe ju fton që të jeni profesionalë në ndarjen e drejtësisë dhe të mos na cenoni mundin, djersën, sakrificën dhe lojën tonë në parket, sepse ne luajmë për të përfaqësuar qytetin tonë, Pejën, që është qytet i basketbollit dhe përkrahet masivisht nga qytetarët e saj. Ky klub është zemra e çdo qytetari të Pejës dhe ne nuk lejojmë që GO+ Peja të dëmtohet nga asnjë individ me qëllime dashakeqe ndaj nesh”, shkruan tutje në letrën e Pejës.