Basketboll

Palokaj i vendosur të tregohet në klubin ikonik kroat

Jan Palokaj

Transferimi i Jan Palokajt te Cibona u zyrtarizua të enjten nga nënkampioni i Kosovës, Bashkimi. Një ditë më pas shkroi edhe klubi i famshëm kroat. Por, nuk janë dhënë detaje se si u mundësua ky transferim në mes të edicionit, ndonëse në basketboll kjo ndodhë rregullisht.

Mediumet në Kroaci kanë shkruar se për t’u bërë e mundshme kjo lëvizje, dëmshpërblimi është paguar nga vetë basketbollisti Palokaj, që është rritur dhe zhvilluar në Kroaci.

I kontaktuar nga KOHA të premten, 25-vjeçari nuk e mohoi një gjë të tillë. Por nuk ka dhënë detaje të tjera. Ai është përqendruar më shumë te lëvizja, të cilën e vlerëson hap të madh për zhvillim të mëtejmë në karrierë.

Palokaj është kthyer te qyteti i lindjes, Zagrebi. Ai ka luajtur për Zagrebin e Boscon, para se të kalonte te Zara. Me Zarën e ka të fituar një titull dhe dy Kupa të Kroacisë. Më pas u transferua në basketbollin kosovar, ku falë prejardhjes luajti si vendor.

Palokaj ka bërë karrierë të suksesshme te Sigal Prishtina, Golden Eagle Ylli dhe së fundmi ishte te Bashkimi.

“Ky transferim do të thotë shumë për mua sepse do të luaj për klubin më të mirë në qytetin tim. Jam shumë i emocionuar”, ka deklaruar Palokaj të premten për KOHËN.

Me Bashkimin në shtatë ndeshjet kampionale të këtij edicioni kishte mesatare prej 11,4 pikëve, 3,9 kërcimeve e 1,4 asistimeve. 

Ndaj Cibonës, klubit të legjendës së basketbollit kroat, Drazhen Petroviq, luajti në Zagreb në mesin e muajit tetor. Palokaj në atë ballafaqim pati 16 pikë, katër asistime e një kërcim. Cibona fitoi me 93:79. Ndërkohë në “Sezai Surroi”, Bashkimi e kishte shënuar njërën prej fitoreve më të mëdha në histori. E mposhti Cibonën 89:69. Palokaj i pati 11 pikë, katër kërcime e dy asistime.

Cibona është 20 herë fituese e titullit dhe 9 herë fituese e Kupës së Kroacisë. Por momentalisht nuk e ka nivelin që e kishte për shumë e shumë vjet.

“Koha ime në Kosovë ka qenë shumë e mirë. Jam rritur si lojtar dhe si person. Dua që të zhvillohem edhe më shumë dhe besoj se bashkimi me Cibonën është hapi i duhur për ta bërë këtë”, theksoi Palokaj.

Palokaj ka luajtur për grupmoshat U14, U16, U18 dhe U20 të Kroacisë, por jo edhe në nivelin e të rriturve. Ai është i pajisur me pasaportë të Kosovës, por nuk ka arritur që të luajë me fanellën e “Dardanëve”, ndonëse dëshira ekziston. Në shkurt të vitit 2023 ishte në listën e përzgjedhësit të atëhershëm Rami Hadar, por paraqitja e tij mund të bëhej vetëm si basketbollist i natyralizuar.

“Që nga ajo kohë, asgjë nuk ka ndryshuar, përveç që çdo punëtor i basketbollit në Kosovë, lojtarët, trajnerët, pronarët e klubeve, më kanë pyetur ‘pse nuk dua të luajë për Kosovën’. Përgjigja është e thjeshtë. Nëse është mundësia dhe nëse jam i kualifikuar si lojtar që mund ta ndihmojë ekipin përfaqësues, dua të luaj për Kosovën, 100 për qind. Mendoj se ka më shumë njerëz që kanë interesa të ndryshme, por emri im nuk do të njolloset nga këta njerëz”, ka thënë Palokaj. 

Bashkimi ka njoftuar se Palokaj është larguar pasi kishte kontratë që ia mundësonte lëvizjen nëse do të kishte ofertë nga klubet evropiane.