Bashkimi e Trepça vlerësohen prej skuadrave pretendente për trofe në këtë edicion të basketbollit kosovar. Por të dy skuadrat nuk janë në momentin më të mirë.
Pas humbjeve që i pësuan në fundjavë, Bashkimi e Trepça përballen mes tyre në derbin e xhiros së dhjetë të Superligës së Kosovës.
Kjo ndeshje zhvillohet të mërkurën nga ora 18:45 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.
Deri te pauza për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve, Bashkimi dukej i pandalshëm. Rreshtoi shtatë fitore në Superligë. Ndër të tjera e kishte mposhtur Trepçën në Mitrovicë me rezultatin 93:79. Por ka humbur dy ndeshjet e fundit, madje prej skuadrave të pjesës së poshtme të tabelës. Fillimisht pësoi nga Vëllaznimi me rezultat 74:70 e më pas edhe nga Rahoveci 029 me shifrat 77:72. Me gjithë humbjet, Bashkimi mbetet lider me 16 pikë, sa i ka edhe Peja në vendin e dytë.
Trepça është e treta me 13 pikë, por e ka një ndeshje më pak të luajtur. Kampionia në fuqi, Trepça, të dielën humbi në Gjakovë nga Vëllaznimi. Ndeshja me fund dramatik mbaroi me rezultatin 85:83 për ekipin gjakovar.
Pos nga Bashkimi e Vëllaznimi, Trepça ka humbur edhe nga Peja, në xhiron e dytë.
Dy humbjet e Bashkimit erdhën pas largimit të Jan Palokajt në drejtim të Cibonës. Dhe derbi mund të dëshmojë nëse humbjet ishin dobësi e momentit për Bashkimin, apo largimi i Palokajt e ka dobësuar shumë skuadrën prizrenase.
Ndërkohë Trepça vazhdon me ndryshime në përbërje. Të hënën mbrëma e prezantoi fundorin me përvojë, amerikanin 39-vjeçar, Kenny Hasbrouck. Ndryshime të tjera priten në skuadrën mitrovicase.
Të mërkurën prej orës 18:45 është edhe ndeshja mes Vëllaznimit dhe Golden Eagle Yllit. Vlerësohet po ashtu ndeshje shumë e rëndësishme. Në Gjakovë kthehet trajneri kroat i Yllit, Jeronimo Sharin, që deri para pak javësh ishte në krye të Vëllaznimit.
Vëllaznimi është i gjashti me tri fitore e gjashtë humbje. Dy prej fitoreve i ka shënuar në dy xhirot e fundit, ndaj Bashkimit e Trepçës, pas largimit të Sharinit.
Ylli i Suharekës ka dëshpëruar me rezultate deri më tani, me gjithë pretendimet e mëdha. Ka vetëm dy fitore e plot shtatë humbje. Me 11 pikë është në pozitën e fundit. Dhe angazhimi i Sharinit nuk duket se ka ndryshuar shumë situatën te suharekasit. Pas fitores 96:88 ndaj Sigal Prishtinës, Ylli të dielën dëshpëroi në Pejë, duke pësuar me rezultatin e thellë, 82:63.
Të enjten janë ndeshjet GO+Peja – Bora dhe Sigal Prishtina – Rahoveci 029. Edhe këto ndeshje zhvillohen prej orës 18:45.