Basketboll

Bashkimi fiton ndeshjen në palestrën e mbuluar me tym

Bashkimi fiton ndeshjen në palestrën e mbuluar me tym

Ndonëse ambienti në palestrën “Karagaçi” në Pejë nuk ishte pastruar nga tymi i fishekzjarrëve të hedhura nga shikuesit e Pejës, Bashkimi fitoi me rezultat 73:70 dhe siguroi kalimin në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në basketboll.

Ndeshja kthyese e çerekfinales së Kupës së Kosovës në basketboll ndërmjet GO+ Pejës dhe Bashkimit u ndërprerë 46 sekonda para fundit, kur rezultati ishte 72:70 në të mirë të Bashkimit, nënkampionit të Kosovës.

Ndeshja u ndërpre pasi tifozët vendës në shenjë proteste për rezultatet e klubit, kanë hedhur mjete tymosëse, duke e pamundësuar zhvillimin e rregullt të ndeshjes. 

Ata madje kanë bërë edhe fyerje në drejtim të kryesisë së klubit pejan.

Por me marrëveshje nga të dyja skuadrat, ndeshja vazhdoi, ndonëse palestra ishte e mbuluar nga tymi i fishekzjarrëve.

Çerekun e parë dhe të katërt i fitoi Peja. Të parin e mbylli 22:20, kurse të katërtin 20:19. Çereku i dytë dhe i tretë i takoi Bashkimit, 22:17 dhe 12:11.

Te Bashkimi statistikat më të mira i kishte Malcolm Armstead. Ai realizoi 13 pikë, ndërsa pati edhe gjashtë kërcime e pesë asistime.

Në fitore kontribut të madh dha edhe Dequon Lake. Ai ndeshjen e mbylli me 17 pikë e tetë kërcime.
Te Peja u dalluan tre basketbollistët, Skyler Glatten me 17 pikë, një kërcim e një asistim, Cesare Edwards, që ndeshjen e mbylli me 14 pikë e 13 kërcime dhe Fatlind Shoshaj, i cili realizoi tetë pikë, pesë kërcime e gjashtë asistime.

Bashkimi kishte fituar edhe në Prizren. Ndeshjen e parë çerekfinale e fitoi 96:90.

Bashkimi në gjysmëfinale takohet me Sigal Prishtinën.

Ndeshjet e para gjysmëfinale luhen më 4 shkurt, kurse ato të kthimit më 11 shkurt.


Nis sërish ndeshja në “Karagaçi”

Pas disa minutave pritje, basketbollistët e të dyja skuadrave janë kthyer në parket dhe ndeshja ka nisur sërish për sekondat e mbetur.


Ndërpritet ndeshja në Pejë

Ndeshja kthyese e çerekfinales së Kupës së Kosovës në basketboll ndërmjet GO+ Pejës dhe Bashkimit është ndërprerë, ndonëse deri në fund kanë mbetur edhe 46 sekonda deri në mbyllje të ballafaqimit. 

Rezultati aktualisht në palestrën “Karagaçi” në Pejë, është 72:70 në të mirë të Bashkimit, nënkampionit të Kosovës.

Ndeshja u ndërpre pasi tifozët vendës në shenjë proteste për rezultatet e klubit, kanë hedhur mjete tymosëse, duke e pamundësuar zhvillimin e rregullt të ndeshjes. 

Ata madje kanë bërë edhe fyerje në drejtim të kryesisë së klubit pejan.