Michael Myers është prej lojtarëve më të rëndësishëm të Trepçës në plejofin e Superligës së Kosovës në basketboll. Në serinë finale të plejofit, Myers po zhvillon garë goxha interesante me qendrën e Bashkimit, Jayveous McKinnis.
32-vjeçari i Trepçës e humbi betejën vetëm në ndeshjen e parë. Në fitoren 84:77 të Bashkimit ndaj Trepçës në Prizren, McKinnis i kishte 13 pikë e 11 kërcime. Ndërkohë Myers e përfundoi atë ndeshje me 10 pikë e 13 kërcime. Indeksi për kontributin e përgjithshëm i McKinnisit ishte për dy më i mirë se i Myersit.
Në ndeshjen e dytë, të cilën Trepça e fitoi 79:72 ndaj Bashkimit, Mayers ishte dominant. Lojtari i gjatë 207 centimetra kontribuoi me 22 pikë, nëntë kërcime e katër asistime. Indeksin e kishte 25. McKinnis në atë ndeshje kishte probleme me gabime personale. I realizoi 12 pikë e 10 kërcime, ndërsa indeksin e kishte 18.
Trepça fitoi edhe të dielën në Prizren. Madje me rezultat bindës, 88:71. Myers luajti më pak se 20 minuta, për shkak se u diskualifikua. I realizoi 13 pikë e tetë kërcime, për indeksin 16. McKinnis i kaloi në parket 30 minuta, ndërsa kontriboi me 14 pikë e pesë kërcime, ndërsa kishte indeks prej 12.
Në fakt McKinnis është shquar me paraqitje gjatë gjithë edicionit te Bashkimi. Myers erdhi te Trepça në fillim të janarit dhe e gjeti formën gradualisht. Në plejof po kontribuon shumë.
Ndeshja e katërt e serisë finale të plejofit është të mërkurën prej orës 19:00 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Palestra pritet të jetë e stërmbushur me shikues, ndërsa amerikani Myers është gati.
“Thjeshtë, ne ende nuk e kemi përfunduar punën. Ende nuk jemi të kënaqur. Po ushtrojmë dhe po përgatitemi mirë si ekip për ndeshjen e katërt. Të gjithë janë të përqendruar. Jemi si një trup dhe jemi gati për ta fituar ndeshjen e katërt të finales”, ka thënë Myers të martën për KOHËN.
Ai ka përmendur tifozët dhe përkrahjen që Trepça e ka prej tyre.
“Duam t’i përshëndesim dhe t’i vlerësojmë tifozët tanë që sjellin energji në çdo ndeshje. Na motivojnë, na sjellin shumë zjarr për këto ndeshje të rëndësishme”, ka theksuar Mayers.
Skuadra që i shënon katër fitore shpallet kampione. Trepça tani e ka përparësinë e terrenit. Në basketbollin kosovar kjo vlerësohet shumë e rëndësishme, por jo garancë për sukses.
“Tifozëve tanë u themi që të vazhdojnë të na mbështesin dhe le ta fitojmë këtë kampionat”, ka thënë Myers, njëra prej qendrave më dominante në basketbollin kosovar në vitet e fundit.