Basketboll

Loci optimist për sukses me Kosovën, modelin e ka gati

loci

Bujar Loci kthehet pas dy dekadash në krye të Përfaqësueses së Kosovës në basketboll, përkatësisht në postin e përzgjedhësit. 

Ai në postin e selektorit u emërua të mërkurën, ndërsa e kishte udhëhequr Kosovën edhe në vitin 2005 kundër Egjiptit dhe Rumanisë në një turne.

Trajneri pejan, Loci, e zëvendëson në postin e selektorit francezin Jean-Denys Choulet, i cili ishte në krye të Kosovës që nga nëntori të vitit të kaluar. Por, siç mëson KOHA, Choulet me marrëveshje të dyanshme ka shkëputur kontratën me Federatën e Basketbollit të Kosovës. Trajneri francez me FBK-në kishte kontratë deri në vitin 2027. Nën drejtimin e francezit, Kosova e mbylli fazën e parë të parakualifikimeve evropiane për Botërorin 2027 me dy fitore e katër humbje. Ishte vetëm kampanja e radhës e pasuksesshme pë Kosovën.

Bujar Loci në krye të Kosovës do të debutojë kundër Shqipërisë më 30 nëntor, në ndeshjen e parë parakualifikuese për “EuroBasket 2029”. Ndeshja zhvillohet në Shkodër. Në grupin C është edhe Sllovakia.

Besimin për ta udhëhequr Kosovën, Loci e cilëson nder dhe krenari.

“A do të jem më gjatë apo më shkurt, pak ka rëndësi. Unë jam i Kosovës dhe kur Kosova të thërret, duhet të jesh gati”, ka thënë Loci për KOHËN të mërkurën. 

Loci është trajner te Rahoveci 029, ndërsa me shumë sukses i ka drejtuar edhe disa klube tjera të Kosovës. Shumë gjatë ishte te Peja. Edhe si basketbollist kishte karrierë të suksesshme. 

Për shumë vjetësh ka qenë ndihmës i selektorëve te Kosova. Por me trajnerë të huaj Kosovës i mungoi suksesi për kohë të gjatë dhe tani FBK-ja vendosi për trajner të vendit.

Ai ka thënë se Kosova ka basketbollistë cilësorë për të kaluar grupin.

“Do të jetë ndeshje e veçantë si në aspektin emocional ashtu edhe sportiv. Por sigurisht që ne duam ta mbyllim me rezultat pozitiv. Secili trajner i ka synimet e tij. Është pozitive që lojtarët janë aktivë dhe nuk kemi nevojë për përgatitje shtesë fizike, por do të punojmë taktikisht për ndeshjen kundër Shqipërisë. Me këtë kualitet ne do të synojmë të kalojmë tutje. Do t’i kemi lojtarët më të mirë që i ka Kosova”, është shprehur Loci.

Ai beson se përfaqësuesja e basketbollit do t’i arrijë sukseset që tashmë i ka përfaqësuesja e futbollit. Kosova në futboll do të paraqitet në plejofin kualifikues për Kupën e Botës 2026. “Para pesë vjetësh pak do të besonin se Kosova në futboll do të bënte këtë arritje. Pse edhe në basketboll për katër apo pesë vjet mos të arrijmë rezultate të njëjta”, ka theksuar trajneri me përvojë.

Ai uron që Kosova shpejt të varet vetëm nga basketbollistët vendorë.

“Dëshira ime është që Kosovën në një të ardhme ta shoh me dymbëdhjetëshe që përbëhet nga lojtarë vendorë. Ajo është dëshira ime e madhe. Ëndrra ime është të udhëheqë një ekip me 12 kosovarë”, ka thënë Loci.