Liga e Adriatikut, e njohur si ABA Liga, vazhdon të jetë liga regjionale më cilësore në basketbollin evropian. Në këtë ligë luajnë ekipet më të mira të basketbollit nga të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë, pos Kosovës.
Në të kaluarën klubet kosovare kishin bërë përpjekje për t’u përfshirë në Ligën ABA, por pa sukses. Aktualisht përfshirja e klubeve kosovare nuk është temë, ndonëse liga po zgjerohet vazhdimisht.
Të mërkurën është mbajtur Asambleja e Ligës ABA. Ajo që ishte paralajmëruar edhe ndodhi. Nga edicioni i ardhshëm kjo ligë do t’i numërojë 18 klube. Klube të reja janë Cluji rumun dhe BC Vienna e Austrisë.
Cibona e Kroacisë dhe Mornari i Malit të Zi në edicionin e ardhshëm do të luajnë në nivelin e dytë të Ligës ABA, si skuadrat më të dobëta të edicionit të kaluar.
Ka pasur spekulime se edhe Hapoel Tel Avivi nga Izraeli do të bëhet pjesë e Ligës ABA. Por kjo megjithatë nuk ndodhi.
Në Asamblenë e së mërkurës është vendosur që liga prej edicionit të ardhshëm të ndahet në dy grupe. Në të dy grupet do të jenë nga nëntë skuadra. Grupet tashmë janë caktuar. Ka pasur propozime që liga të rritet në 20 ekipe, por 12 klube pronare të ligës kanë votuar kundër. Dhe rrjedhimisht Cibona e Mornari janë larguar për në nivelin e dytë.
Nga Liga ABA 2 në elitë kanë kaluar Bosna e Sarajevës dhe Ilirija e Sllovenisë.
Nga edicioni i kaluar pjesë e Ligës së Adriatikut është edhe Dubai.
Vlerësohet se klubet më të mira kosovare kanë potencial organizativ dhe cilësi për të luajtur në Ligën ABA. Madje qëndrojnë më mirë se disa prej klubeve të pjesës së poshtme të tabelës së kësaj lige. Por për shkak të ndikimit shumë të madh të klubeve serbe, sidomos Partizanit dhe Cërvena Zvezdës, Kosova aktualisht, por me gjasë edhe për shumë vjet në të ardhmen, nuk do të jetë në këtë ligë.
Çështje tjetër është nëse klubet kosovare kanë interes për t’u bërë pjesë e Ligës ABA. Në Kosovë interesimi është dukshëm më i madh për ligën vendore se për ndeshjet ndërkomëbtare të skuadrave të vendit. Rivaliteti mes klubeve dhe tifozëve bën që liga të jetë shumë atraktive.
Në edicionin e ri, kampionia Trepça do të paraqitet në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, ndërsa Bashkimi në kualifikimet e FIBA Europe Cup.
Liga Ballkanike më nuk po zhvillohet, ndërsa Liga Unike, e përbërë nga klubet e Kosovës dhe të Shqipërisë, nuk është se sjell ndonjë avancim sa i takon cilësisë. Ajo dominohet plotësisht nga klubet kosovare.
Sigal Prishtina një edicion garoi në ligën tjetër regjionale, ENBL, por hoqi dorë prej saj më pas. Klubet kosovare nuk po shfaqin interesim për këtë ligë edhe për shkak të shpenzimeve të mëdha.
Prej vendeve të regjionit, skuadër në Ligën ABA nuk ka Maqedonia e Veriut. Por skuadra të këtij vendi garojnë në Ligën ABA 2.