Basketboll

Kosova U18 e fillon me humbje të thellë Evropianin B

Kosova U18

Përfaqësuesja U18 e Kosovës në basketboll e ka nisur me humbje paraqitjen në Kampionatin Evropian të Divizionit B.

Të premten në Mioveni të Rumanisë, Kosova U18 u përball me Hungarinë dhe humbi me rezultat 91:66.

Hungarezët e rinj e nisën furishëm ndeshjen dhe çerekun e parë e fituan 27:15. Lojtarët e Kosovës u kthye në çerekun e dytë, të cilin e fituan 27:19. Kështu pas pjesës së parë Hungaria U18 kishte vetëm katër pikë epërsi, 46:42.

Megjithatë, hungarezët dominuan edhe në pjesën e dytë për fitore bindëse. Çereku i tretë përfundoi 21:14 për Hungarinë, ndërsa i katërti 24:10.

Drin Tafilaj ishte më i miri te Kosova. Ai ndeshjen e përfundoi me 16 pikë e 12 kërcime. Mal Tusuni i kishte nëntë pikë e nëntë kërcime. Më efikasi ishte Erion Nixha me 18 pikë. Ai shtoi edhe tri kërcime e një asistim.

Kosova është në Grupin C. Të shtunën luan ndaj Estonisë nga ora 19:30 në Pitesti. Më pas takohet me Zvicrën, Çekinë dhe Finlandën. Pas ndeshjet në fazën grupore janë ato për plasman përfundimtar.

Kosova U18 po paraqitet pas asaj U20, që arriti suksesin më të madh të grupmoshave të reja deri më tani. 20-vjeçarët arritën në çerekfinale të Evropianit të Divizionit B, duke shënuar fitore ndaj Suedisë, Shqipërisë dhe Hungarisë. Por më pas i humbën katër ndeshje rresht dhe mbetën në vendin e tetë prej 21 përfaqësueseve.

Ndërkohë te basketbollistet paraqitjet ishin dukshëm më të zbehta. Përfaqësuesja U18 mbeti e fundit në Divizionin B, përkatësisht e 21-ta. Basketbollistet e Kosovës U16 garuan në Evropianin e Divizionit C në Pejë. Dhe u renditën vetëm në vendin e gjashtë prej tetë përfaqësueseve gjithsej.