Drejtuesit e kaluar të Sigal Prishtinës janë akuzuar për keqpërdorime dhe keqmenaxhim të klubit. Akuzat janë bërë nga Luan Maloku, drejtor i ri i klubit prishtinas të basketbollit.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur të martën, Maloku ka thënë se klubin e kanë gjetur me buxhet zero dhe madje me borxhe të shumta, ndonëse, sipas tij, në nëntor e dhjetor klubi realizoi të hyra nga sponsorizimi prej plot 700 mijë euro.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTe Prishtina ka pasur shumë zhvillime së fundi, ndërsa tani klubin e drejton një kryesi e re.
“Me të ardhur në zyrë si kryesi e re kemi parë që ka pasur shumë keqpërdorime. Në rast se në një klub derdhen rreth 700 mijë euro në muajin nëntor dhe në muajin dhjetor dhe në atë klub kur fillon në muajin janar në xhirollogari nuk ka asnjë euro, kjo është keqmenaxhim dhe keqpërdorim. Është jo normale që për 30 ditë një shumë prej 700 mijë eurosh të avullohet”, ka thënë Maloku.
Pos buxhetit zero, kryesia e re ka gjetur edhe borxhe të mëdha të klubit. Prishtina ka borxhe ndaj Pallatit të Rinisë, ndaj ATK-së, ndaj Federatës së Basketbollit, ndaj ENBL-së, ndaj lojtarëve dhe po ashtu i ka dy raste të hapura në BAT.
Maloku ka mohuar se klubi rrezikon shuarjen. Ka theksuar se në klub janë të bashkuar si asnjëherë më parë. Ai është optimist se klubi së shpejti do të kthehet në rrugën e duhur dhe do të fillojë me suksese.
“Ne si kryesi e re kur kemi ardhur menjëherë kemi kuptuar që kemi obligim ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, e kemi një obligim ndaj Federatës së Basketbollit të Kosovës, kemi një obligim ndaj Ligës ENBL. Në këtë ligë nuk janë paguar arbitrat e asnjë ndeshjeje që kanë qenë në Prishtinë, për shtator, tetor, nëntor dhe dhjetor. Ka borxh ndaj Pallatit të Rinisë dhe kjo ka çuar klubin në përmbarues privat. Është një lëndë e vitit 2015, por është aktuale e cila e ka bllokuar klubin. Për herë të parë pas shumë viteve e kemi klubin në BAT. Kemi dy lëndë në BAT”.
Prishtina nuk ka paguar lojtarët për disa muaj, ndërsa obligime ka edhe ndaj kompanive të udhëtimit. Po ashtu e ka xhirollogarinë e bllokuar.
Edmond Azemi është kthyer në postin e drejtorit sportiv të Prishtinës. Ai ka thënë se te Prishtina nuk do të dorëzohen asnjëherë, ndërsa ka theksuar se tashmë energjia pozitive është kthyer në klub.
Në konferencë foli edhe Arbër Sinani, kapiten i skuadrës së Prishtinës. Ai ka treguar synimet për sukses në ENBL dhe në Superligën e Kosovës.
Në konferencë është bërë e ditur se Prishtina vjet ka pasur lojtarë që janë paguar deri në 25 mijë euro, ndërsa trajneri Paco Olmos kishte pagë prej 20 mijë dollarësh në muaj.
Gjatë vitit të kaluar, sipas raportit zyrtar të ministrisë, Prishtina kishte të hyra nga sponsorizimi prej plot 1,2 milionë euro. Dhe me gjithë këtë shifër marramendëse, klubi aktualisht e ka buxhetin zero dhe për më tepër ka borxhe të shumta.
Sigal Prishtina aktualisht është në vendin e parafundit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Paga deri në 25 mijë euro te Prishtina
Në basketbollin kosovar vazhdojnë të jepen paga marramendëse, ndonëse me para të sponsorizimit e që realisht janë para të buxhetit të shtetit.
Në konferencën për shtyp që u mbajt të martën nga drejtues të Prishtinës, u bë e ditur se ish-lojtari i kësaj skuadre, Jordan Davis, që luajti vjet, kishte pagë prej 25 mijë.
Drejtori i klubit, Luan Maloku, ka përmendur edhe shumën prej 20 mijë kur përmendi Rashid Mahalbashiqin, pa saktësuar nëse bëhet fjalë për euro apo dollarë.
Ndërkohë për ish-trajneri Paco Olmos bëri të ditur se erdhi te Prishtina me pagë prej 20 mijë dollarësh në muaj.
Sipas raportit të Ministrisë, Prishtina vjet realizoi të hyra prej 1,2 milionë euro nga sponsorizimet.