Basketboll

James pritet ta thyejë rekordin e Carterit për më së shumti sezone në NBA

LeBron James

LeBron James pritet të përfitojë 52.6 milionë dollarë me Los Angeles Lakersin për sezonin 2025-26 dhe pritet të arrijë një rekord që askush tjetër nuk e ka arritur. Agjencia e lajmeve “Associated Press” ka shkruar të dielën se ai do të bëhet basketbollisti i parë në histori të NBA-it që do të luajë edhe në sezonin e 23-të. Burimi i ka thënë “AP”-së në kushte anonimiteti se as Jamesi dhe as ekipi nuk e kanë dhënë këtë lajm publikisht.

Mediumet “ESPN” dhe “The Athletic” kanë qenë të parat që kanë raportuar për këtë vendim.

Jamesi, i cili së fundmi është rikthyer në palestër për të nisur stërvitjet pas disa javësh pushim pas dëmtimit të ligamenteve të gjurit në ndeshjen e fundit të Lakersit, i ka thënë “AP”-së më herët këtë muaj se pret të jetë gati për kampin stërvitor. Ky ka qenë një sinjal i qartë se ai po planifikon për të luajtur për vitin e 23-të, në të cilin do ta thyente rekordin e Vince Carterit për karrierën më të gjatë si basketbollist i NBA-it.

“Kam shumë kohë për t’u rikuperuar nga lëndimi i gjurit, ta pushojë trupin dhe të jem i sigurt se do të jem 100 për qind i gatshëm kur të nisin përgatitjet në fund të shtatorit”, kishte thënë Jamesi në atë intervistë.

Edhe nëse dikush ka dyshuar në Jamesin, lojtarin më të vjetër të ligës NBA, që do të kthehet edhe për një sezon tjetër, tani gjithçka është e qartë. Ai do të ketë kohë deri të shtunën pasdite për të vendosur për këtë opsion, një që do të bënte që ai të përfitonte 580 milionë dollarë.

Sezoni që po vjen do të jetë viti i parë i plotë me Luka Donçiqin si bashkëlojtar. Donçiqi u shkëmbye te Lakersi nga Dallasi në muajin shkurt.

Jamesi do të jetë 41-vjeçar në dhjetor. Ai ka qenë pjesë e ekipit të NBA-it në 21 prej 22 sezoneve në ligë. Asnjë basketbollist tjetër nuk ka arritur që të përfshihet më shumë se 15 herë.

Jamesi pati mesatare prej 24.4 pikëve, 7.8 kërcimeve dhe 8.2 asistimeve në sezonin e fundit. Koshashënuesi më i mirë në histori të NBA-it ka luajtur në 1562 ndeshje të sezonit të rregullt, 49 më pak se Robert Parish që i ka 1611 paraqitje, më së shumti në histori të ligës. Nëse do të jetë me shëndet të plotë, Jamesi do ta thyejë edhe këtë rekord në sezonin e ardhshëm.