Basketbollistët e Kosovës U18 e humbën edhe ndeshjen e fundit në fazën grupore të Kampionatit Evropian të Divizionit B.
Të mërkurën në Mioveni të Rumanisë, Kosova U18 pësoi 85:78 nga Finlanda.
Në çerekun e parë Finlanda ishte një pikë para, 17:16. Epërsia u rrit edhe për dy pikë të tjera në çerekun e dytë, ndërsa shkëputja u bë në çerekun e tretë që përfundoi 25:18 për finlandezët.
Në minutën e fundit të ndeshjes Kosova u afrua në tri pikë, 81:78, por më pas Finlanda shënoi disa pikë për fitore.
Kosovës nuk i mjaftoi paraqitja e mirë e Besim Bytyqit që ndeshjen e përfundoi me 26 pikë, katër kërcime e katër asistime. Mal Tusuni i realizoi 15 pikë e 14 kërcime, ndërsa Erion Nixha i realizoi 13 pikë e tri kërcime.
Kosova i ka humbur të gjitha pesë ndeshjet në grup. Ka pësuar edhe nga Hungaria, Estonia, Zvicra e Çekia. Finlanda e shënoi fitoren e parë.
Tani Kosova U18 luan për plasman prej pozitës së 17-të deri në pozitën e 22-të.