Basketboll

GO+ Peja fiton thellë në derbin ndaj Sigal Prishtinës

Go+ Peja

GO+ Peja e ka fituar thellë ndeshjen derbi ndaj Sigal Prishtinës të mërkurën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë. 

Para tifozëve të vet, pejanët mposhtën prishtinasit me rezultatin 98:67. 

Ky ballafaqim i takoi xhiros së 12-të të Superligës së Kosovës në basketboll, ndërsa u dominua nga vendësit. 

GO+ Peja në pushim shkoi me 11 pikë epërsi, 44:32, ndërsa dallimi shumë i madh në rezultat u bë në çerekun e tretë që u mbyll 32:14. 

Pejanët e mbajtën epërsinë deri në fund dhe nuk lejuan befasi për fitoren me 31 pikë dallim. 

GO+ Peja e regjistroi fitoren e tetë ndërsa i ka edhe katër humbje, kurse Sigal Prishtina tani ka gjashtë fitore e po aq disfata. 

Skyler Tyrone Flatten shkëlqeu në fitore me 21 pikë, shtatë kërcime e po aq asistime, kurse Alan Herndon regjistroi dyshifror të dyfishtë prej 14 pikëve, 11 kërcimeve. Ai i shtoi edhe katër asistime. 

17 pikë në fitore i realizoi Jordan Johnson, ndërsa me nga 10 pikë kontribuuan kapiteni Dardan Berisha dhe Musab Mala. 

Statistikat më të mira te kryeqytetasit i kishte Kelby Kramer, me 16 pikë e tetë kërcime. 

Për GO+ Pejën ishte fitorja e parë pas humbjeve nga Bora dhe Rahoveci 029, kurse Sigal Prishtina u mposht pas fitoreve ndaj Rahovecit 029 dhe Bashkimit.