Basketboll

Gjyqtarët kosovarë drejtojnë ndeshje evropiane, por jo edhe ndeshjet vendimtare për titull në vend

Gjyqtarët kosovarë drejtojnë ndeshje evropiane, por jo edhe ndeshjet vendimtare për titull në vend

Federata e Basketbollit e Kosovës ka njoftuar të martën për gjyqtarët kosovarë të basketbollit që do të drejtojnë ndeshje në garat evropiane të përfaqësueseve që zhvillohen gjatë verës.

“Gjyqtarët do të jenë pjesë e rëndësishme për garat ndërkombëtare. Nga Kosova kanë marrë 11 delegime ku do të ndajnë drejtësinë. Gjyqtarët nga Kosova janë të nominuar nga FIBA, duke vazhduar traditën për të gjykuar në ngjarje të rëndësishme të basketbollit evropian”, shkruan në njoftimin e FBK-së.

Ka fiks një muaj që gjyqtarët nuk janë “temë” e basketbollit kosovar. Kjo për faktin se ndeshjet gjysmëfinale dhe finalja e plejofit po drejtohen nga gjyqtarë të huaj. Interesimi për gjysmëfinalet e plejofit, e sidomos për finalen, është shumë i madh. Shumica e ndeshjeve shndërrohen në spektakël. Por pjesë e këtij spektakli nuk janë arbitrat kosovarë. Finalet po drejtohen nga arbitra të vendeve të ndryshme. Në gjysmëfinale ishte njëjtë.

Shumica e arbitrave që i angazhon FBK-ja janë me përvojë dhe të vlerësuar lart në vendet e tyre, por edhe në skenën ndërkombëtare. Lojtarët e trajnerët e skuadrave po i respektojnë dukshëm më tepër vendimet e gjyqtarëve të huaj sesa që i respektonin vendimet e gjyqtarëve të vendit. Njëjtë edhe shikuesit.

Gjyqtarët e vendit kanë pritur që t’i drejtojnë ndeshjet gjysmëfinale dhe finale të plejofit. Por Federata e Basketbollit e Kosovës vendosi që krahas tyre të ketë edhe arbitra të huaj. Kombinimin nuk e pranuan gjyqtarët e vendit dhe u vendos nga federata vetëm për të huaj. Gjyqtarët kosovarë ishin ndier të tradhtuar nga federata, që ka arsyetuar vendimin për të angazhuar të huajt.

Për të mundësuar që arbitrat e huaj t’i drejtojnë ndeshjet është dashur që Bordi i FBK-së të bëjë ndryshim të përkohshëm të propozicioneve të garave.

Bordi miratoi “angazhimin e tre gjyqtarëve të huaj për secilën ndeshje të fazës gjysmëfinale dhe finale të plejofit, me qëllim të garantimit të integritetit dhe cilësisë së garës”.

Në propozicione fillimisht shkruante se “Të gjitha ndeshjet e edicionit garues, deri në ndeshjen e fundit finale të plejofit dhe ndeshjen finale të Kupës së Kosovës, do të gjykohen vetëm nga gjyqtarët vendorë nga lista e aprovuar nga Bordi i FBK-së”. Ky nen u ndryshua me vendim të bordit.

Arbitrat kosovarë kanë vlerësuar se e kanë kryer punën mirë. Kanë pranuar se kishte gabime, porse ekipi më i mirë ka fituar gjithnjë me meritë. FBK-ja megjithatë kishte kërkuar punë të përbashkët të vendorëve e të huajve.

Ardhja e arbitrave të huaj paraqet kosto shtesë, goxha të madhe, për Federatën e Basketbollit të Kosovës. Por deri më tani puna e arbitrave të huaj është përfolur pak. Dhe kjo në një mënyrë e arsyeton vendimin.

Gjatë verës, gjyqtarët kosovarë do të drejtojnë ndeshje në Kampionatet Evropiane të grupmoshave të reja, të divizioneve B e C. Në këto nivele luajnë edhe përfaqësueset e Kosovës. Ngadhnjim Shabani, Xhelal Mumini e Elldin Uglari janë deleguar në nga tri ngjarje të ndryshme. Amar Xhekoviq në dy.