Gjermania është kampione e Evropës në basketboll.
Në finalen shumë dramatike, të dielën mbrëma në Riga të Letonisë, Gjermania e mposhti Turqinë me rezultatin 88:83.
Për Gjermaninë është e arta e dytë në Eurobasket. Të artën e parë e fitoi në vitin 1993. Ka edhe një të argjendtë nga viti 2005 dhe një të bronztë nga viti 2022.
Gjermania është kampione e botës. Dhe tani edhe e Evropës.
Ndeshja u vendos vetëm në aksionet e fundit.
Çereku i parë i takoi Gjermanisë, 24:22. Në të dytin u përgjigjën lojtarët e Turqisë dhe në pushimin midis pjesëve rezultati ishte 46:40 për Turqinë. Në fund të çerekut të tretë rezultati ishte 67:66 për Turqinë.
Kjo bëri që periudha e fundit të jetë dramë e vërtetë.
Turqia fillimisht u shkëput në 72:66, por gjermanët vazhduan luftën. Me trepikëshin e Isaac Bongas, 3:38 minuta para fundit, Gjermania kaloi në avantazh 77:76.
Prishtinasi Kenan Sipahi më pas realizoi trepikësh për Turqinë, për 79:77. Kjo ndodhi 3:03 minuta para fundit. Për 79:79 shënoi sërish Bonga i Gjermanisë. Shane Larkin u përgjigj për 81:79 për turqit, e më pas shënoi edhe për 83:82.
Ylli më i madh i Gjermanisë, Dennis Schroder, lidhi më pas katër pikë për 86:83. Ky rezultat u regjistrua 19 sekonda para fundit.
Mbrojtja e Gjermanisë më pas ishte e suksesshme, ndërsa Alperen Shengun nuk qëlloi gjuajtje për tri pikë nga një pozitë e vështirë. Schroder i realizoi edhe dy pikët e fundit për 88:83 dhe kështu koha e Turqisë u “harxhua”.
Fare në fund Cedi Osman nuk qëlloi gjuajtjen për tri pikë dhe festa ishte për gjermanët.
Turqia e fitoi medaljen e dytë të argjendtë në Eurobasket. Të parën e kishte fituar në vitin 2001.
Isaac Bonga i kishte statistikat më të mira te Gjermania. Ai ndeshjen e përfundoi me 20 pikë, pesë kërcime e tri asistime. Franz Wagner e përfundoi ndeshjen me 18 pikë e tetë kërcime. Schroder i realizoi 16 pikë, ndërsa i shtoi edhe 12 asistime e tri kërcime.
Te Turqia, Alperen Shengun i realizoi 28 pikë, ndërsa shtoi tri kërcime e tri asistime. Cedi Osman shtoi 23 pikë e pesë kërcime, derisa Shane Larkin i kishte 13 pikë, nëntë asistime e gjashtë kërcime.
Heroi i gjysmëfinales, Erxhan Osmani, e përfundoi ndeshjen me dy pikë, katër kërcime e tri asistime. Kenan Sipahi i kishte tri pikë e dy asistime për 18 minuta lojë.
Ky vlerësohet njëri prej Eurobasketëve më të mirë në histori, nëse jo më i miri.

Schroder, MVP i Eurobasketit
Dennis Schroder ka udhëhequr Gjermaninë drejt titullit të kampionit të Evropës në basketboll.
Dhe fundori është shpallur lojtari më i vlefshëm i Eurobasket 2025.
FIBA e ka vlerësuar Schroderin zemrën dhe shpirtin e ekipit të Gjermanisë.
Ai ka udhëhequr Gjermaninë edhe drejt titullit të botës. Në finalen e së dielës, Schroder kontribuoi me 16 pikë dhe 12 asistime.
Schroder ishte në pesëshen All-Star edhe në vitin 2022.
Ergin Ataman i Turqisë u zgjodh trajnerin më i mirë në "Eurobasket 2025", ndërsa Miikka Muurinen i Finlandës u zgjodh lojtari më i mirë i ri. Isaac Bonga i Gjermanisë u zgjodh lojtari më i mirë defensiv.
Top-yjet në pesëshen më të mirë të Eurobasketit
Është zbuluar pesëshja më e mirë e Eurobasketit.
Në pesëshen më të mirë janë dy basketbollistë të kampiones, Gjermanisë.
Dennis Schroder dhe Franz Wagner e përfaqësojnë Gjermaninë në pesëshe.
Natyrisht aty nuk mungon ylli i madh turk, Alperen Shengun.
Luka Donçiq i Sllovenisë dhe Giannis Antetokounmpo i Greqisë plotësojnë pesëshen “All-Star”.
Këta emra dëshmojnë pse Eurobasket 2025 është prej kampionateve më të mira në histori.