Federata e Basketbollit e Kosovës ka paralajmëruar masa të rënda ndëshkuese për Bashkimin, pas incidentit të ndeshjes së parë të çerekfinales së Kupës së Kosovës, ndërmjet Bashkimit dhe GO+ Pejës.
Shtatë minuta para pushimit, kapiteni i GO+ Pejës, Dardan Berisha, u godit me shkrepëse dhe pati çarje në ballë.
Kjo shkaktoi ndërprerje të ndeshjes për afro 40 minuta.
Bashkimi në fund e fitoi ndeshjen 96:90 dhe ka bërë hap para drejt gjysmëfinales, por dënimi për skuadrën prizrenase pritet të jetë i rëndë.
“Dardan Berisha është goditur nga tribuna me një shkrepëse, një akt i rrezikshëm, i turpshëm dhe absolutisht i papranueshëm në një ngjarje sportive. Po ashtu, gjatë ndeshjes janë dëgjuar fyerje dhe sharje ndaj ekipit mysafir, të cilat cenojnë rëndë imazhin e basketbollit dhe çdo normë të sportivitetit”, ka shkruar ndër të tjera FBK-ja në komunikatën e së premtes.
Më pas, ka treguar se dënimi pritet të jetë i rëndë.
“FBK njofton publikun dhe opinionin sportiv se ka hapur menjëherë procedurë disiplinore dhe se organizatori do të përballet me masa të rënda ndëshkuese, sipas akteve normative në fuqi. Toleranca për dhunë, sulme fizike apo sjellje fyese në palestrat tona është ZERO. Federata kërkon nga klubet që të marrin përgjegjësinë e plotë për sigurinë në tribunat e tyre dhe paralajmëron se çdo përsëritje e incidenteve të kësaj natyre në të ardhmen do të sjellë masa drastike, përfshirë gjoba të larta, mbyllje palestrash dhe/ose humbje të ndeshjeve me rezultat zyrtar”, ka njoftuar FBK-ja.
Ndeshja kthyese do të luhet pas dy javësh në palestrën “Karagaçi” në Pejë.