Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Basketboll

Faza e fundit e kampionatit fillon me ndryshime të tjera në skuadra

Kosova-Sllovakia

Ndeshja e Kosovës me Sllovakinë nuk la shije të mirë. Kosova humbi javën e kaluar në Prizren, kurse pauza për ndeshje të përfaqësueseve u dha kohë të mjaftueshme skuadrave që të përgatiten për fazën e katërt dhe të fundit të stinorit të rregullt në Superligën e Kosovës në basketboll.

Deri në fund të kampionatit të rregullt janë edhe shtatë xhiro. Më pas është plejofi. Të hënën ishte edhe afati i fundit për regjistrimin e lojtarëve të rinj të huaj, kurse të mërkurën e të enjten janë ndeshjet e xhiros së 22-të.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ashtu si pritej, skuadrat kanë bërë ndryshime në ditën e fundit të afatit. Trepça i ka besuar ekipit që dominoi në dy muajt e fundit dhe siguroi trofeun e Kupës.

Bashkimi ka shtuar në përbërje fundorin amerikan Jalen Riley. Bora të hënën e prezantoi amerikanin Carlton Bragg, kurse ditë më parë edhe Jordan Dinglen.

Daquan Bracey është lojtar i ri i GO+ Pejës. Në ditët e fundit të shkurtit klubi pejan angazhoi edhe De’jon Davisin dhe Cecil Williamsin.

Golden Eagle Ylli të hënën e prezantoi lojtarin me përvojë nga Lituania, Donatas Sabeckis. 

Vëllaznimi nuk ka prezantuar ndonjë lojtar të ri, kurse Sigal Prishtina më 24 shkurt e transferoi Dericko Williamsin. 

Richard Granberry është lojtari i ri i Rahovecit 029.

Ndryshimet e momentit të fundit jo gjithnjë dalin të qëlluara. Por skuadrat e tjera shpresojnë ta rivalizojnë Trepçën, që ka dominuar në vitet e fundit.

Të mërkurën prej orës 19:30 zhvillohet derbi i xhiros së 22-të në mes të Pejës dhe Trepçës. Kjo ndeshje zhvillohet në palestrën “Karagaçi”. Trepça është lidere me 39 pikë dhe sipas të gjitha gjasave në plejof do të startojë nga pozita e parë. Peja është e katërta me 31 pikë, kurse synon fitoren për të dëshmuar se ka synime të mëdha, me gjithë telashet që kishte.

Po të mërkurën prej orës 19:30 është ndeshja mes Rahovecit 029 dhe Borës. 

Derbi i së enjtes vlerësohet takimi Sigal Prishtina – Golden Eagle Ylli. Edhe kjo ndeshje fillon në ora 19:30.

Të dy skuadrat pretendojnë titullin, por momentalisht janë më shumë në garë për të shmangur rënien.

Ylli në vendin e pestë dhe Prishtina në të shtatin, përkatësisht të parafundit, i kanë nga 29 pikë, sa edhe Vëllaznimi në vendin e gjashtë. Rahoveci 029 është i fundit me 28 pikë.

Kështu lufta për të shmangur rënien është dukshëm më e hapur se ajo për pozitën e parë.

Bashkimi – Vëllaznimi është ndeshja tjetër që luhet të enjten nga ora 19:30.

Ekipi prizrenas, Bashkimi, është i dyti në tabelë me 35 pikë, katër më pak se Trepça. Bora renditet e treta me 32 pikë. 

Derisa ndeshja e Kosovës u zhvillua në palestër gjysmë të zbrazët, ndeshjet e shtatë xhirove të fundit të Superligës pritet të mbledhin shumë shikues në palestra.