Basketboll

Dy të arrestuar për incidentet në Gjakovë, identifikohet edhe hedhësi i shishes

KB Vëllaznimi - KB Bashkimi

Dy persona janë arrestuar, ndërsa është identifikuar edhe personi që gjuajti me shishe të mbushur me ujë gjatë ndeshjes së Superligës ndërmjet KB Vëllaznimit dhe KB Bashkimit, e zhvilluar në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë.

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) të enjten në një reagim ka bërë të ditur se Policia e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e dy personave për tentim sulmi, ndërsa ndaj personit që ka hedhur shishen priten veprime të mëtejme ligjore. Shishja e hedhur nga tribuna goditi në fytyrë ndihmëstrajnerin e KB Bashkimit, Bledar Gjeqaj, duke e rrëzuar në parket.

Incidenti ka ndodhur gjatë çerekut të dytë të ndeshjes, kur nga tribuna janë dëgjuar ofendime në kor ndaj klubit mysafir, për çka publikut i është dhënë vërejtje zyrtare. Me përfundimin e pjesës së parë, siç thotë FBK-ja, një grup tifozësh të skuadrës vendase kanë tentuar të sulmojnë persona të pranishëm në tribunë (të skuadrës mysafire), duke krijuar rrezik serioz për përshkallëzim të situatës.

“Falë ndërhyrjes së Policisë së Kosovës, është parandaluar një incident edhe më i rëndë”, ka thënë FBK-ja.

Pas aktit të dhunës dhe rrezikimit të sigurisë, FBK-ja ka thënë se në koordinim me gjyqtarët dhe Policinë, është marrë vendim për zbrazjen e palestrës nga publiku, me përjashtim të zonës VIP, për të garantuar sigurinë e të gjithë akterëve të ndeshjes.

Federata e ka cilësuar situatën si alarmante dhe duke paralajmëruar zero tolerancë ndaj dhunës në palestra. FBK ka bërë të ditur se klubi nikoqir do të ndëshkohet për organizim të dobët të ndeshjes, ndërsa ndaj tij do të merren masa të rënda disiplinore në përputhje me rregulloret në fuqi.

Po ashtu, FBK ka theksuar se dhuna fizike, tentimet për sulm, fyerjet dhe çdo formë tjetër e sjelljes së papranueshme nuk do të tolerohen dhe ka paralajmëruar masa edhe më drastike në rast të përsëritjes së incidenteve, përfshirë mbylljen e palestrave, zhvillimin e ndeshjeve pa publik, humbjen e ndeshjeve me rezultat zyrtar dhe referimin e rasteve tek institucionet kompetente.

KB Bashkimi e fitoi ndeshjen, por rezultati mbeti në plan të dytë.

Javën e kaluar, në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren u godit basketbollisti i KB Pejës, Dardan Berishës, të cilit iu ça vetulla.