Plot 16 pikë, gjashtë kërcime e tri asistime për vetëm 20 minuta të kaluara në parket. Dardan Kapiti ishte prej më të mirëve te Trepça në finalen e parë të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Trepça të dielën në “Minatori” fitoi me rezultatin 94:79 ndaj Bashkimit, ndërsa finalja e dytë është të mërkurën prej orës 19:30, po në Mitrovicë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoFinalja e plejofit e “gjeti” Kapitin në formën ndoshta më të mirë në karrierë. Ai po e kompleton edicionin e tretë te Trepça, por asnjëherë nuk ka luajtur më mirë se në ndeshjet e fundit.
Në gjysmëfinalen e fundit ndaj Pejës, qendra 26-vjeçare luajti vetëm 15 minuta, por i kishte 15 pikë e katër kërcime.
“Besoj që edhe unë, por edhe ekipi i Trepçës, jemi në formën më të mirë prej se jam bërë pjesë e klubit. Pavarësisht paraqitjeve të mia, të mira apo më pak të mira, unë punën nuk e kam ndalur asnjëherë. Kur punon me një trajner si Adis Beqiragiqi, herët apo vonë suksesi vjen. Puna e madhe që trajneri Beqiragiq ka bërë me mua tashmë po shihet edhe në ndeshjet e plejofit”, ka thënë Dardan Kapiti të martën për KOHËN.
Me Beqiragiqin në krye të skuadrës dhe organizimin shembullor të klubit, Trepça po e dominon për disa vjet rresht basketbollin kosovar. Pjesë e këtij dominimi është edhe Kapiti.
Por a ka ndryshuar ndonjë gjë që Kapiti po shfaq më shumë se zakonisht?
“Mendoj që forma e mirë është rezultat i punës së vazhdueshme. Nuk kemi ndryshuar shumë gjëra, por kemi punuar shumë gjatë gjithë kohës dhe tani ajo punë po shpërblehet. Sidomos në këtë fazë të edicionit, detajet dhe përkushtimi bëjnë diferencën”, thotë basketbollisti i gjatë 208 centimetra.
Trepça ka nisur mirë finalen, por Kapiti qëndron me këmbë në tokë. Ai flet me respekt për ekipin prizrenas.
Trepça këtë edicion ka pesë fitore e një humbje ndaj Bashkimit. E humbi vetëm përballjen e parë kampionale, ndërsa ka fituar ndër të tjera edhe në finale të Kupës.
“E kemi fituar ndeshjen e parë dhe normalisht që jemi të kënaqur me mënyrë si e kemi nisur finalen e plejofit. Nuk ishte aspak e lehtë kundër një kundërshtari shumë të fortë si Bashkimi. Por ende nuk ka përfunduar asgjë. Besoj që në ndeshjet e ardhshme do të japim maksimumin dhe në fund do të arrijmë ta mbrojmë titullin, edhe pse e dimë që nuk do të jetë aspak e lehtë”.
Kapiti me Trepçën ka fituar dy tituj të kampionit, Ligën Unike, tri Kupa të Kosovës dhe dy Superkupa.
Gjitha këto suksese janë festuar me pasion nga tifozët e zjarrtë mitrovicas, të udhëhequr nga tifo-grupi “Torcida”.
“Të luash në ‘Minatori’ është ndjenjë e mirë, jo vetëm për mua por për të gjithë lojtarët e Trepçës. Në basketboll tifozët janë lojtari i gjashtë në parket, e sidomos në ‘Minatori’. Mitrovicasit janë ndër dashamirët më të mëdhenj të basketbollit në Kosovë dhe një nga shtyllat kryesore të ekipit”, ka theksuar Kapiti.
Ai vlerëson se organizimi shumë i mirë i klubit e dallon Trepçën nga ekipet e tjera të Superligës.
“Organizimi që bëhet nga kryesia dhe njerëzit përreth Trepçës bënë që çdo gjë të jetë profesionale dhe nuk ka parregullsi. Natyrisht, diferencën e bëjnë edhe trajneri Adis Beqiragiq dhe lojtarët vendorë”.
Kapiti në Superligë po luan me mesatare prej 8,2 pikëve e 3,8 kërcimeve. Mesatarja e minutave të kaluar në parket, gjatë gjithë edicionit, është 17,6 minuta.
Por shtatlarti i Kosovës ka shpërthyer kur duhet më së shumti. Oferta që në verën e vitit 2023 mori nga Trepça e bindi Kapitin që të kthehej në Kosovë nga SHBA-ja.
A ishte vendim i duhur?
“Po, besoj se ishte vendim i duhur. Nuk është e lehtë të gjesh mundësinë të punosh me një trajner si Adis Beqiragiq dhe të gjesh një klub me organizim kaq të mirë”, thotë ai.