Skuadra e Borës e ka shënuar fitoren e dytë të edicionit aktual në Superligën e basketbollit kosovar.
Bora të mërkurën mbrëma në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, e mposhti Rahovecin 029 me rezultatin e thellë 85:65.
Vendësit e fituan vetëm çerekun e dytë 26:25, por kjo nuk shfaqi problem për ekipin e Borës që në fund iu gëzua një tjetër fitoreje.
Rahoveci 029 me trajnerin Bujar Loci, që është edhe selektor i Kosovës aktualisht, e pësoi humbjen e pestë të edicionit, krahas tri fitoreve.
Bora e ka një ndeshje më pak të luajtur, atë ndaj Trepçës.
Kapiteni Adem Mekiq ishte më i miri me statistika në këtë fitore të Borës me 14 pikë, shtatë kërcime e katër asistime.
Julian Roche ishte më i dalluari te Rahoveci 029 me dyshifror të dyfishtë prej 16 pikëve, 14 kërcimeve e dy asistimeve.