Basketboll

Bora “mbulon” Pejën, Yllin e Prishtinën

KB BOra

Trepça po dëshmon që është pretendente serioze për titull të ri të kampionit të Kosovës në basketboll. Për kohë të gjatë udhëheqë në tabelë. Bashkimi po ashtu ka synime të mëdha dhe e mban pozitën e dytë.

Por është skuadra e ranguar e treta, që vlerësohet befasi e madhe. 

Në vendin e tretë nuk janë as Peja, as Prishtina e as Ylli. Madje as Vëllaznimi e Rahoveci 029. Është Bora, skuadra e re prishtinase e basketbollit. 

Bora i ka nëntë fitore e tetë humbje deri më tani dhe me 26 pikë renditet e treta. E ka një pikë më shumë se GO+ Peja, Golden Eagle Ylli dhe Sigal Prishtina. Nga 22 pikë i kanë Vëllaznimi e Rahoveci 029. Bora nuk është pjesë e garës për mbetje në Superligë. Ngadalë po futet në garë për titull të kampionit. Pozita e tretë e dëshmon këtë. 

Bashkimi në vendin e dytë i ka 28 pikë, ndërsa Trepça udhëheq me 31 pikë.

Bora këtë muaj në Superligë ka vetëm fitore. Më 10 janar fitoi 85:83 ndaj Bashkimit në udhëtim. Më pas e mposhti Rahovecin 029 në shtëpi me shifrat 79:74. Më 17 janar shënoi tjetër fitore të madhe, 71:66 ndaj Sigal Prishtinës. Dhe në fundjavë i dha goditje të rëndë Pejës, duke e mposhtur me 20 pikë dallim, 88:68. 

“Kemi treguar formë të mirë gjatë këtij muaji. Seria prej katër fitoreve në kampionat dhe po ashtu kualifikimi në gjysmëfinale të Kupës janë shumë të rëndësishme për ne. Por ne i marrim ndeshjet me radhë dhe më e rëndësishmja është e radhës”, ka thënë të hënën për KOHËN trajneri i Borës, Zoran Kashqelan. Ai është nga Mali i Zi.

Bora, që nuk ka ndonjë përkrahje të madhe nga shikuesit, bazohet shumë në lojtarët cilësorë amerikanë. Por edhe në vendorët si Amin Hot, Jetmir Zeqiri, Rrezart Memedi e Rron Ukaj. Ndonëse klub i formuar vetëm para katër vjetësh, është i njohur për stabilitetin dhe buxhetin goxha të madh. 
Kashqelan vlerësohet prej trajnerëve perspektivë të regjionit, kurse ka drejtuar me suksese skuadra dukshëm më të mëdha. 

“Është garë e gjatë, me shumë ngritje e ulje. E nisëm edicionin shumë ngadalë, ndërsa tani ekipet e tjera po hasin në shumë vështirësi. Qëllimi kryesor është të jemi në plejof”, ka shtuar tekniku i Borës.

Me ecurinë aktuale, plejofi nuk duket sfidë për këtë skuadër prishtinase.

“Superliga është shumë garuese. Çdo skuadër ka individë të mirë dhe diferenca në cilësi nuk është e madhe. Dallohen Trepça dhe Bashkimi, që kanë përvojë dhe më shumë lojtarë në dispozicion. Ekipet tjera kanë cilësir të përafërt”, ka theksuar Kashqelan.

Ai e mori drejtimin e skuadrës së Borës në mesin e stinorit vjeshtor. Bora tani po i mposht edhe skuadrat me nam dhe që kanë bazë të gjerë të tifozëve. 

“Më pëlqen të punoj me këta lojtarë. Kemi një grup të talentuar, të gatshëm për të mësuar dhe që të zhvillohen. Ka ende hapësirë për përmirësim. Gjëja më e rëndësishme për ekip është mentaliteti i duhur. Dhe ne po punojmë çdo ditë për këtë”, ka theksuar Kashqelan.

Bora po garon edhe në Ligën Unike. Por fokusin e ka në garat vendore. Rrjedhimisht ndeshja e radhës të rëndësishme e ka atë ndaj Vëllaznimit në Gjakovë.