Basketboll

Bekë Berisha tregon pse po largohet nga posti i kryetarit të Prishtinës

Bekë Berisha

(E përditësuar 18:50) - Menjëherë pas mbledhjes së kryesisë së klubit me tifozërinë “Plisat”, Bekë Berisha ka dhënë sqarime se pse nuk mund të jetë kryetar i klubit “bardhekaltër”.

Ai ka thënë se do të emërohet një ushtrues detyre i këtij posti, ndërsa ka kërkuar unitet për të mirën e klubit.

“Unë në bashkëpunim me klubin do ta emërojmë një ushtrues detyre. E kam një segment kohor deri sa ta jap betimin si deputet. Unë nuk e di se si do të jetë vendimi i Agjencionit Anti-Korrupsion, mirëpo, sido që të jetë ai, klubi do të jetë i njerëzve, i dashamirëve të sportit. Do të thotë, unë e kam të pamundur ndoshta ta ushtroj këtë detyrë. I falënderoj delegatët që ma kanë dhënë besimin, të gjithë atyre që kanë pasur besim. Dhe kam qenë i gatshëm me sinqeritet të punojë, ta avancojë këtë klub. Mirëpo, është shumë e rëndësishme të ketë unitet. Do të thotë, këta djem të jenë të gjithë së bashku, edhe qytetarët, edhe ‘Plisat’, edhe delegatët, edhe ata që kanë punuar deri sot këtu. Qëllimi im është të kemi unitet dhe të bashkuar. Sepse duke qenë të bashkuar, vetëm ashtu mund të arrijmë deri te suksesi”, deklaroi Berisha menjëherë pas mbledhjes së mbajtur të shtunën.

Ai ka thënë se takimi është mbajtur për t’i sqaruar keqkuptimet dhe për t’i dëgjuar propozimet e ‘Plisave’ për të dalë nga problemet rreth klubit.

“Këta i kanë kërkesat e tyre, i kanë të mira, unë jam për t’ua përkrahur. Mirëpo, nga aspekti legal dhe ligjor, duhet të marrim vendimin ta emërojmë një ushtrues detyre të Presidentit të klubit dhe të vazhdojmë me punë”, ka shtuar tutje Berisha.

Berisha, që ishte kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës dhe ka marrë votat për të qenë deputet për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës në Kuvend, nuk ka dhënë emër se kush mund të jetë ushtrues detyre i kryetarit.

“Jemi në negociata. Tani nuk mund të marrim vendim sepse duhet të bazohemi në status për t’i bërë të gjitha veprimet. Një veprim që e kam bërë, atë pjesën që është dashur ta mbush me anëtarë të bordit, e kam bërë, sot i kam emëruar disa dhe do t’iu tregojmë më vonë kush janë. Është mirë ta respektojmë pjesën ligjore. Besoj se do ta gjejmë një kompromis të mirë, për të mirën e klubit të basketbollit Prishtina”, deklaroi ai.


Bekë Berisha dorëhiqet nga posti i kryetarit të Sigal Prishtinës

(18:30) - Bekë Berisha nuk do të jetë kryetar i Sigal Prishtinës. KOHA ka mësuar se ai ka dhënë dorëheqje gjatë ditës së shtunë.

Berisha u emërua kryetar i klubit “bardhekaltër” më 14 janar, ndërsa dorëheqja e tij është bërë katër ditë më pas.

Edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit para dy ditësh në një reagim ka thënë se Bekë Berisha duhet të zgjedhë ose të jetë deputet ose kryetar i klubit pasi përbën konflikt interesi. 

Ka pasur përplasje të shumta ndërmjet tifo-grupit “Plisat” dhe kryesisë së vjetër. Pakënaqësitë e “Plisave” kanë qenë të ashpra edhe pas emërimit të Bekë Berishës si kryetar i ri i klubit.

“Plisat” kanë kërkuar ndryshime, pasi sipas tyre, klubi po keqmenaxhohet.

Të shtunën është lajmëruar për konferencë për shtyp nga ora 18:00. Konferenca nuk është mbajtur, por takimi me dyer të mbyllura mes “Plisave” dhe zyrtarëve të klubit është duke vazhduar. KOHA ka mësuar se do të emërohet një kryetar i ri i përkohshëm.

“Plisat” dalin me reagim pas dorëheqjes së Bekë Berishës

37 min. më parë / 17 jan 2026 19:33
Plisat

Tifo-grupi “Plisat” kanë dalë me reagim pas dorëheqjes së Bekë Berishës nga posti i kryetarit të klubit Sigal Prishtinës. 

“Plisat” në faqen zyrtare kanë shkruar se e mirëpresin vendimin e Berishës. Në njoftim tutje “Plisat” kanë falënderuar Berishën për bashkëpunimin dhe që është hapur rruga që klubin ta drejtojnë njerëz profesionistë.  

“Pas zhvillimeve të fundit në Klubin e Basketbollit Prishtina, për shkak të interesimit të lartë të qytetarëve të Prishtinës dhe ndjeshmërisë së situatës, ndjejmë obligimin të ju informojmë që më në fund gjërat kanë filluar të lëvizin për mirë. Për t’i arritur qëllimet tona kemi hasur në gatishmërinë e Bekë Berishës, të cilin e falënderojmë për bashkëpunimin me ne, duke hapur rrugë që klubi të kalojë në duar të Plisave dhe njerëzve profesionistë, gjendje kjo që ka munguar tash e sa kohë në këto ambiente.

Sportit dhe qytetit të Prishtinës po i vinë ditë më të mira ndërsa për detalet tjera ju informojmë ditëve në vijim. Për fund, një rikujtim të gjitha palëve të përfshira e të interesuara, uniteti te Plisat është i pathyeshëm”.