Basketboll

Bashkimi të martën luan në Francë, ka pak shpresë për kualifikim

BASHKIMI

Bashkimi i Prizrenit e luan të martën mbrëma ndeshjen e fundit në stinorin e rregullt të FIBA Europe Cup.

Nga ora 20:00, Bashkimi përballet në Francë me Dijonin. Sajti zyrtar i FIBA-s ka shkruar të hënën se Bashkimi ka gjasa që me fitore të avancojë në raundin e dytë të FIBA Europe Cup. Por kjo do të varet edhe nga rezultati i ndeshjes tjetër të Grupit J mes Cibonës dhe Reggianas.

Dijoni megjithatë është favorit për të fituar ndeshjen në Francë. Në Prizren, ekipi francez kishte fituar me rezultat 83:74.

Dijoni e Cibona i kanë nga tri fitore e dy humbje, përkatësisht nga tetë pikë. Reggiana e Italisë dhe Bashkimi kanë nga shtatë pikë, përkatësisht nga dy fitore e tri humbje.

Në raundin tjetër avancojnë fituesit e grupeve dhe gjashtë ekipet më të mira të pozitës së dytë nga dhjetë grupe sa janë gjithsej.

Në FIBA Europe Cup garon edhe Trepça, që tashmë është pa gjasa për avancim.

Trepça i ka humbur pesë ndeshjet e deritashme në Grupin F, kurse të mërkurën nga ora 18:30 luan ndaj Anwilit në Poloni.