Tifozët e Bashkimit morën një lajm të mirë të mërkurën. Tjetër lajm të mirë shpresojnë të marrin të enjten mbrëma, kur skuadra e tyre e zemrës e luan ndeshjen e katërt gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Në palestrën “Karagaçi” në Pejë, prej orës 19:00, takohen Peja e Bashkimi. Aktualisht rezultati është 2:1 në të mirë të prizrenasve. Atyre u duhet edhe një fitore për të kaluar në finale të plejofit. Ndërkohë Pejës i duhen edhe dy fitore.
Bashkimi e fitoi ndeshjen e parë në Prizren, ndërsa Peja u përgjigj me fitore para tifozëve të saj. Të dielën në “Sezai Surroi” u zhvillua ndeshja e tretë, ndërsa Bashkimi fitoi pas vazhdimit prej pesë minutave. Por pesë sekonda para fundit, erdhi te një rrahje në parket. Rrahja ndodhi mes drejtuesve të Bashkimit dhe pjesëtarëve të sigurimit. U krijua tollovi e madhe, ndërsa kishte edhe hedhje të shumë mjeteve plasëse në fushën e lojës. Ndeshja vazhdoi pas më shumë se gjysmë ore, pasi gjithë tifozët u larguan nga tribuna.
Të martën Bashkimi u dënua me tri ndeshje pa shikues si vendas. Të mërkurën dënimi iu zbut në një ndeshje si vendas pa praninë e shikuesve.
Nëse Bashkimi kualifikohet të enjten në finale, atëherë finalen e parë e luan pa shikues. Në rast të fitores së Pejës, atëherë ndeshja vendimtare e gjysmëfinales, të dielën në Prizren, zhvillohet pa shikues në tribuna. Kjo mund të jetë përparësi për ekipin pejan, i cili fillimisht duhet ta fitojë ndeshjen në shtëpi.
Te Peja kanë shkruar se “janë të motivuar dhe të bashkuar më shumë se kurrë më parë për fitore”.
Prizrenasit kanë shkruar se “udhëtojnë të përgatitur dhe të kompletuar, me fokus për të arritur rezultat pozitiv”.
Në gjysmëfinalen e parë Bashkimi kishte fituar bindshëm ndaj ekipit pejan, 81:61. Dy ndeshjet e tjera ishin më të forta. Peja fitoi në shtëpi me rezultat 84:79, falë mbylljes më të mirë të takimit. Ndeshjen e tretë Bashkimi e fitoi 84:78, pas vazhdimit prej pesë minutave. Të dy skuadrat patën rastin të fitojnë në kohën e rregullt, por nuk e bënë këtë. Në pesë minutat shtesë, prizrenasit ishin dukshëm më të fokusuar për të bërë hap të madh drejt finales.