Bashkimi e ka humbur me rezultat të thellë ndeshjen e kthimit të raundit kualifikues të FIBA Europe Cup.
Të mërkurën mbrëma në Wloclawek të Polonisë, Bashkimi u mposht nga Anwili me rezultatin 93:71.
Ndeshjen e parë, të luajtur të mërkurën e kaluar në Prizren, Bashkimi e fitoi me rezultatin 80:75.
Kështu Anwili avancon në stinorin e rregullt të FIBA Europe Cup. Ndërkohë Bashkimi do të avancojë vetëm nëse është njëra prej tri skuadrave më të mira humbëse të raundit kualifikues.
Prizrenasit janë mbajtur mirë për tre çerekë në ndeshjen në Poloni. Por Anwili, që është prej skuadrave më të mëdha në Poloni, bëri shkëputjen në rezultat në çerekun e katërt.
Çereku i parë përfundoi 21:21, ndërsa rezultati i çerekut të dytë ishte 25:21 në të mirë të Anwilit polak. Pas pjesës së parë rezultati ishte 46:42 për vendasit, që kishin përkrahje të madhe nga shikuesit. Pas 30 minutave lojë dallimi ishte pesë pikë, 64:59.
Në çerekun e fundit në shprehje erdhi përvoja e skuadrës polake në ndeshje evropiane si kjo dhe po ashtu fondi më i madh i lojtarëve cilësorë. Dhe dallimi në fund ishte 22 pikë.
De’Quon Lake ishte më i miri te Bashkimi me 15 pikë e tetë kërcime. Jeremiah Bailey e përfundoi ndeshjen me 11 pikë, 11 kërcime e dy asistime, ndërsa Isaiah Cousins i kishte 14 pikë. Kyan Anderson e TJ Bickerstaff i kishin nga tetë pikë, kurse Jan Palokaj ndeshjen e përfundoi me nëntë pikë, dy kërcime e dy asistime. Lejson Zeqiri i kishte gjashtë pikë e tri kërcime.
Nënkampioni i Kosovës, Bashkimi, për herë të parë është paraqitur në gara evropiane. Ndërkohë Anwili e ka fituar garën FIBA Europe Cup në vitin 2023.
Tani Anwili në stinorin e rregullt do të jetë në grup me Trepçën, Braunschweigun gjerman dhe PAOK-un grek.
Bashkimi në disavantazh prej katër pikëve pas pjesës së parë
Bashkimi i Prizrenit po e luan në Wloclawek të Polonisë ndeshjen e kthimit të raundit kualifikues të FIBA Europe Cup.
Pas pjesës së parë Anwili polak po udhëheq 46:42.
Prizrenasit po luajnë ndeshje cilësore dhe po shfaqen të barabartë me lojtarët e skuadrës së njohur polake.
Ndeshjen e parë, të luajtur të mërkurën e kaluar në Prizren, Bashkimi e fitoi me pesë pikë dallim.