Basketboll

Bashkimi mbështetet në përkrahjen e tifozëve për finalen e tretë ndaj Trepçës

Bashkimi

Bashkimi fitoi në Prizren 84:77 në ndeshjen e parë ndaj Trepçës. Fituesja e Superkupës dhe Kupës së Kosovës për edicionin aktual, Trepça, fitoi më pas në Mitrovicë 79:72. Të dyja skuadrat shfaqën nivel thuajse të barabartë në të dyja finalet e para e plejofit të elitës së basketbollit kosovar. Njëjtë pritet të jetë edhe të dielën në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren. Nga ora 19:00 luhet ndeshja e tretë finale e plejofit. Skuadra që shënon katër fitore e fiton edhe kampionatin. Por, marrë për bazë ndeshjet të cilat kanë përfunduar, seria finale mund të zgjasë deri në shtatë ndeshje. Lejson Zeqiri ka qenë prej më të mirëve te skuadra e Bashkimit. Në ndeshjen e fundit pati 16 pikë, katër asistime e tri kërcime.

Bashkimit i kthehen tifozët në tribuna pas dënimit që e patën pas përleshjes së zyrtarëve të klubit me pjesëtarët e sigurimit, në ndeshjen ndaj Pejës. Pikërisht në përkrahjen e madhe të tyre mbështeten basketbollistët prizrenas.

“Normalisht se çdo lojë para tifozëve tanë në ‘Sezai Surroi’ është ekstra motiv për fitore. Gjasat për çdo lojë të finales mund të them se janë të barabarta për të dyja ekipet, në bazë të asaj që është parë në lojërat e fundit. Avantazh kemi ne sepse jemi në palestrën tonë dhe me tifozët tanë”, ka thënë Zeqiri të shtunën për KOHËN.

Zeqiri ka shtuar se çdo ndeshje e serisë finale të plejofit është me vlerë shumë të madhe dhe mund të jetë vendimtare.

“Dy ndeshjet e ardhshme kanë vlerë të madhe duke e ditur që jemi baras në rezultat 1:1. Por, unë mund të them se çdo lojë është vendimtare në këtë seri të finales. Bashkimi ka shfaqur cilësi gjatë gjithë sezonit në vazhdimësi. Të njëjtën formë po e bartim edhe në plejof. Besoj se do të vazhdojmë me ritëm të njëjtë në çdo lojë dhe të dalim me rezultat pozitiv në fund të serisë finale”, është shprehur Zeqiri.

Bashkimi stinorin e rregullt e mbylli në vendin e parë me 20 fitore e tetë humbje dhe e ka avantazhin e terrenit vendës. Nëse seria do të ishte e barabartë, ndeshja e shtatë dhe vendimtare do të zhvillohej në Prizren.

Menjëherë pas Bashkimit në stinorin e rregullt përfundoi Trepça që pati 19 fitore e nëntë humbje. “Xehetarët” fituan në finale të Kupës pikërisht ndaj Bashkimit, por ajo i takon së kaluarës dhe këtë e di edhe Mikaile Tmushiq. Edhe Tmushiq jep kontribut të madh te skuadra mitrovicase.

“Mendoj se seria finale është shumë e fortë dhe këtë e dimë. Nuk do të jetë lehtë në asnjë ndeshje. Por, e dimë se duam të jemi sërish kampion dhe për ta pasur avantazhin e terrenit, duhet të fitojmë një ndeshje në udhëtim. Do ta japim maksimumin. Duhet të kemi freski për ndeshjen e së dielës e për të dalë fitimtar”, ka deklaruar Tmushiq.

Tmushiq në fitoren në Mitrovicë kishte katër pikë e tetë kërcime, ndërsa në ndeshjen e parë në Prizren i kishte 21 pikë e katër asistime.

“E njohim mirë njëri-tjetrin dhe nuk ka sekrete. Cilado skuadër që është më e përqendruar dhe ta shfrytëzojë më mirë momentin, do të dalë fitues. Shpresoj që ne të jemi të gatshëm mendërisht për ta fituar ndeshjen e së dielës”, theksoi Tmushiq.

Bashkimi dhe Trepça si dy të parat në ligë pas stinorit të rregullt, e nisën plejofin nga gjysmëfinalja. Bashkimi e eliminoi Pejën, ndërsa Trepça fitoi ndaj Sigal Prishtinës. Të dyja skuadrat i fituan seritë gjysmëfinale me rezultatin 3:1.

Bashkimi është në kërkim të titullit të dytë në histori të klubit, të parin prej vitit 2018. Trepça ka pesë tituj të fituar. Përveç edicionit të kaluar, fitoi edhe në vitet 1993, 2000, 2001 dhe 2012.