Bashkimi e ka fituar bindshëm derbin ndaj Sigal Prishtinës për ta mbajtur hapin me Trepçën në garën për titull kampioni.
Nënkampioni i Kosovës të shtunën mbrëma fitoi 84:63, në ndeshjen e xhiros së 18-të të Superligës së Kosovës në basketboll, e që u zhvillua në palestrën “Sezai Surroi” dhe ishte ballafaqimi hapës i xhiros së 18-të.
Prizrenasit e nisën furishëm ndeshjen duke udhëhequr 21:12 pas çerekut të parë.
Bashkimi e fitoi edhe çerekun e dytë me rezultatin 19:15, ndërsa pjesën e parë e mbylli me 13 pikë epërsi, 40:27.
Vendësit e rritën epërsinë edhe më shumë rezultatin pas çerekut të tretë. Periudha e tretë u mbyll 25:15. Vetëm dhjetëminutëshin e fundit e fitoi Sigal Prishtina 21:19, por kjo nuk ia rrezikoi fitoren Bashkimit që tani ka 30 pikë, pas 12 fitoreve e gjashtë humbjeve. Trepça ka një pikë më shumë dhe një ndeshje më pak të luajtur.
Kampionia e Kosovës të dielën nga ora 19:30 në palestrën “Minatori” e pret Golden Eagle Yllin. Nga ora 17:00 të dielën luhet edhe ndeshja Vëllaznimi – Bora.
Sigal Prishtina nga ana tjetër, mes shumë telasheve, e pësoi disfatën e katërt në pesë ndeshjet e fundit.
Sigal Prishtina së fundmi është përballur me probleme brenda dhe jashtë parketit.
“Bardhekaltrit” në këtë edicion kanë tetë fitore e dhjetë humbje, dhe renditen në mesin e tabelës me 26 pikë.
Prishtina dhe Bashkimi javën e kaluar avancuan në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.
Më i dalluari në fitoren e Bashkimit ishte Shanon Shorter me 24 pikë, pesë kërcime dhe tri asistime.
Lojë të mirë pati edhe Ike Nwamu me 21 pikë, dy kërcime dhe dy asistime. U veçuan edhe Dequon Lake me tetë pikë, shtatë kërcime dhe një asistim dhe Lejson Zeqiri me 11 pikë, katër kërcime dhe një asistim.
Ndërkohë te Sigal Prishtina më i miri ishte Elijah Clarance me 17 pikë, tri kërcime dhe pesë asistime. Lojë të mirë pati edhe Khalil Dukes me 17 pikë, dy kërcime dhe dy asistime.