Basketboll

Baras në “Minatori” pas pjesës së parë

Trepca - Bashkimi

Ndeshje shumë të fortë po luajnë Trepça e Bashkimi në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.

Pas 20 minutave lojë rezultati është i barabartë, 41:41. 

Çereku i parë përfundoi 20:20. Në çerekun e parë Trepça ishte kryesisht në epërsi, ndërsa në të dytin prizrenasit. 

Por me një treshe të Drilon Hajrizit në sekondat e fundit. Trepça barazoi në 41:41.

Është kjo ndeshja e dytë finale e plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.

Bashkimi udhëheq 1:0 në serinë finale.

“Minatori” është i stërmbushur me shikues.

Dramë në “Minatori”, Trepça barazon rezultatin në finale të plejofit

21 o. më parë / 7 maj 2025 21:09
KB Trepça

Një ndeshje e fortë dhe shumë e barabartë është zhvilluar të mërkurën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Në fund festa ishte për vendasit, për lojtarët dhe tifozët e Trepçës.

Trepça e mposhti Bashkimin e Prizrenit me rezultat 79:72. Kështu kampionia në fuqi e barazoi në 1:1 rezultatin në serinë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.

“Xehetarët” kanë kontrolluar lojën në çerekun e katërt, falë edhe problemeve të lojtarëve të Bashkimit me gabime personale. Me nga pesë personale u ngarkuan Jayveous McKinnis, Eric Copes dhe Samir Zekiqi, ndërsa në minutat e fundit për shkak të lëndimit mungoi Lejson Zeqiri. Këtë situatë te prizrenasit e shfrytëzuan vendasit që duke u bazuar në formën e mirë të Michael Myersit mbajtën epërsi gjatë gjithë çerekut të katërt. 

Trepça e nisi më mirë ndeshjen dhe krijoi epërsi prej shtatë pikëve. Por u përgjigjën prizrenasit dhe rezultati pas çerekut të parë ishte 20:20. Edhe çereku i dytë ishte i barabartë, 21:21, ndërsa më shumë në avantazh ishin mysafirët nga Prizreni. Edhe Bashkimi kishte epërsi deri në shtatë pikë. 

Si rrallë herë, edhe çereku i tretë ishte plotësisht i barabartë, 17:17. Dhe kështu pas 30 minutave lojë rezultati ishte 58:58. 

Në mesin e çerekut të katërt Trepça u shkëput 69:64. Dy minuta para fundit Bashkimi u afrua në dy pikë, 73:71, por pa mundur të bëjë më shumë. Në fund Trepça u shkëput sërish në shtatë pikë, sa edhe ishte dallimi më i madh në ndeshje.

Tekele Cotton ishte më i miri te Trepça, sipas statistikave. Ai ndeshjen e përfundoi me 22 pikë, tetë asistime e tri kërcime. Myers i kishte 22 pikë, nëntë kërcime e katër asistime. Drilon Hajrizi e ndihmoi fitoren me 15 pikë e shtatë kërcime, ndërsa Michael Green i shtoi 12 pikë.

Te Bashkimi më i miri ishte McKinnis me 12 pikë e dhjetë kërcime. Mack Smith i kishte 11 pikë, tri kërcime e dy asistime. Dirk Williams i kishte 16 pikë, ndërsa Lejson Zeqiri ndeshjen e përfundoi me 16 pikë, katër asistime e tri kërcime.

Ndeshja e tretë e serisë finale të plejofit zhvillohet të dielën në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.

Kampione shpallet skuadra që i shënon katër fitore. Ndeshja e shtatë eventuale do të zhvillohet në Prizren.

Palestra “Minatori” të mërkurën ishte e mbushur me shikues. Njëjtë pritet të jetë deri në finalen e fundit.