Basketboll

Angazhimi i trajnerëve me përvojë, sinjal për rivalitet të madh në basketboll

Basketboll

Data e edicionit të ri të Superligës së Kosovës në basketboll nuk është caktuar ende nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK). Nuk pritet të caktohet as këtë javë. Me shumë gjasë, edicioni i ri pritet të nisë në javën e parë të muajit tetor. Por klubet e elitës së basketbollit kosovar e kanë nisur punën qysh tash.

Katër muaj pa nisur edicioni i ri, shumica e klubeve pjesëmarrëse në edicionin 2025/2026 të Superligës kanë vendosur për udhëheqësit e tyre në parket.

Të dielën tri klubet elitare të Superligës, Peja, Bora e Prishtinës dhe Grapelandi i Rahovecit, kanë vendosur të angazhojnë trajnerë me përvojë.

Peja, të dielën e angazhoi trajnerin Greg Gibson për edicionin 2025-26.

“Me përvojë mbi 25-vjeçare si trajner, Gibson tashmë vjen në Pejë për t’i sjellë njohuritë dhe aftësitë e tij, shkroi në njoftim Peja.

56-vjeçari, Gibson, së fundi e drejtoi klubin nga Finlanda, BC Nokia. Ai i ka drejtuar edhe ekipet e tjera finlandeze, si Karhu Kauhajoen, Bisons Loimaa e Kataja Basket.

Me përvojë të gjatë si trajner është edhe Lubomir Minchev. Ai do ta drejtojë skuadrën e Borës.

Bullgari Minchev në Superligën e Kosovës në basketboll më herët e ka drejtuar edhe Trepçën, në edicionin 2022/2023. Së fundit e udhëhoqi skuadrën nga Bullgaria, BC Spartak Pleven.

Ai ka qenë edhe selektor i Përfaqësueses së Bullgarisë në basketboll.

Të dielën, besimin e Grapelandit e fitoi edhe Bujar Loci. Trajneri pejan e vazhdoi qëndrimin te skuadra nga Rahoveci. Nën drejtimin e Locit si trajner, Grapelandi, e siguroi për herë të parë në histori ngjitjen në Superligën e Kosovës në basketboll.

“Kemi kënaqësinë ta prezantojmë nënshkrimin e parë dhe më të rëndësishëm të sezonit”, ka shkruar Grapelandi në rrjetet sociale.

Loci është prej trajnerëve me përvojën më të madhe në Kosovë.

Dy ditë më parë, saktësisht të shtunën, trajnerin e ri e prezantoi edhe Golden Eagle Ylli.

Greku 56-vjeçar, Fotis Takianosin, nuk është emër i panjohur në basketbollin kosovar. Ai e drejtoi Bashkimin për dy muaj gjatë sezonit 2017/2018, teksa trajner ishte edhe te Rahoveci gjatë sezonit 2021/22. Pikërisht gjatë atij edicioni, Takianos u zgjodh trajneri i vitit në Greqi, pasi e mori drejtimin e Larisas pas largimit nga “Vreshtarët”.

Në sezonin e fundit Takianosi e udhëhoqi BK Astanan drejt titullit kampion në Kazakistan.

“Në 50-vjetorin e themelimit të klubit tonë, Golden Eagle Ylli, po jetojmë një ndër momentet më të ndritura në historinë tonë. Puna, përkushtimi dhe mbështetja e komunitetit na kanë sjellë në një pikë krenarie dhe reflektimi – por edhe vizioni për të ardhmen. Sot, me kënaqësi të madhe, prezantojmë trajnerin e ri të ekipit tonë, një emër tashmë të njohur për basketbollin në Kosovë: Fotis Takianos”, ka njoftuar klubi suharekas në “Facebook”.

Është raportuar, gjithashtu, që Ylli e ka rikthyer në skuadër Erjon Kastratin, i cili ishte pjesë e Trepçës. Kastrati ishte vendimtar në sukseset historike të Yllit, kur i fitoi dy tituj radhazi.

Jerenimo Sarin ka mbetur trajner i Vëllaznimit të Gjakovës e te kampionia e Kosovës në basketboll, Trepça, Adis Beçiragiq.

“E kemi vazhduar bashkëpunimin me trajnerin menjëherë pas përfundimit të sezonit të kaluar, një hap shumë i rëndësishëm për ne. Ndërkohë, jemi në fazën e përgatitjeve dhe po punojmë që të kompletohemi me kohë, në mënyrë që të jemi të gatshëm për të gjitha sfidat që na presin si në kampionat, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Izet Tahiri, drejtor i klubit të basketbollit Trepça.

Ai thotë se për basketbollin e Kosovës angazhimi i trajnerëve me përvojë e rrit cilësinë.

“Sa i përket lëvizjeve të klubeve në drejtim të trajnerëve, është për t’u vlerësuar që shumë prej tyre i kanë nisur përgatitjet herët dhe po angazhojnë trajnerë cilësorë. Kjo tregon një seriozitet gjithnjë e më të madh në ndërtimin e skuadrave dhe një sinjal pozitiv për rritjen e cilësisë së përgjithshme të ligës. Një ligë më e fortë sjell përfitime për të gjithë spektrin e basketbollit në vend”, ka shtuar Tahiri.

Trepça, të mërkurën në Lozanë të Zvicrës, do ta mësojë kundërshtarin e parë të fazës kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Kundërshtarë të mundshëm të Trepçës janë: Bakken Bears, Heroes Den Bosch, Kalev/Cramo, Kutaisi 2010, Patrioti Levice, Petrolina AEK Larnaca dhe Rilski Sportist.

Për kampionen, Trepçën, është viti i dytë rresht që do ta përfaqësojë Kosovën në fazën kualifikuese të Championist në basketboll. Synimi është kualifikimi në fazën e grupeve të Championsit.

“Për të dytin vit me radhë do të jemi pjesëmarrës në kualifikimet e Ligës së Kampionëve në basketboll, një ndër garat më të rëndësishme evropiane për klube. Shorti për raundin kualifikues do të hidhet më 2 korrik dhe synimi ynë është ta përfaqësojmë Kosovën sa më mirë në këtë garë”, ka thënë Tahiri.

Në garat kualifikuese të Evropës, përkatësisht FIBA Europe, do të paraqitet edhe Bashkimi.

“Bashkimi” dhe “Sigal Prishtina” janë klubet e vetme që ende nuk janë përcaktuar për trajnerë.

Te Bashkimi thonë se shumë shpejt do ta prezantojnë trajnerin e ri.

“Jemi në bisedime dhe po i shohim opsionet më të mira të mundshme. Besoj se së shpejti do të vendosim për trajnerin e ri”, ka thënë një zyrtar i klubit “Bashkimi”.

Krahas trajnerëve, klubet e basketbollit kanë nisur edhe me prezantimin e lojtarëve të rinj. Pritet të përforcohen edhe me lojtarë të tjerë të huaj. Angazhimi i trajnerëve dhe lojtarëve cilësorë jep sinjal për rivalitet të madh në sezonin 2025/2026.

“Në vitet e fundit klubet po mobilizohen gjithnjë e më shumë. Dhe kjo i tregon rëndësinë dhe vlerën e Superligës. Gara për trofe në basketbollin kosovar po bëhet më e fortë. Dhe, kjo kërkon angazhim nga të gjithë ne, federata, klubet, sponsorët, partnerët e grupet e tjera të interesit. Ne si Federatë jemi shumë të lumtur që kemi një garë kaq të fortë dhe ndër më të fortën në rajon”, ka thënë sekretarja e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku.