“Askush nuk do të na mposhtë në shtëpi në vazhdim të kampionatit”.
Kështu deklaronte trajneri i Sigal Prishtinës, Dushan Dubleviq, më 21 shkurt, pas humbjes nga Trepça në Pallatin e Rinisë në kryeqytet.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTjetër ndeshje për Prishtinën, tjetër humbje. Sërish në Prishtinë.
Trepça kishte fituar 86:84 ndaj Prishtinës me kosh të sekondës së fundit. Të enjten mbrëma Golden Eagle Ylli fitoi 82:80 ndaj skuadrës prishtinase, sërish me kosh të sekondave të fundit.
Ndoshta loja e Prishtinës po përmirësohet dhe ajo është e barabartë me rivalët e Superligës. Por pikët po “ikin”, ndërkohë që fundi i stinorit të rregullt po afrohet. Pas xhiros së 22-të, Prishtina është e parafundit. I ka 30 pikë në vendin e shtatë, sa edhe Vëllaznimi në të gjashtin. Rahoveci 029 është i fundit me 29 pikë.
Pozita e parafundit nuk dërgon në plejof. Dërgon në plejaut. Është pozitë e pazakontë për skuadrën më të suksesshme të basketbollit në vend. Aktualisht Prishtina është më e përfshirë në garën për të shmangur rënien se në garën për titull.
Deri në fund të stinorit të rregullt janë edhe gjashtë ndeshje. Secila prej tyre për Prishtinën është “finale e vogël”. Menjëherë të dielën luan ndaj Borës, skuadrës tjetër prishtinase.

Prishtina ka pasur dhe po ka telashe me lëndime, por kjo nuk është arsyeja e vetme për rezultatet negative. Klubi ka pasur një edicion plot zhvillime. Njëra kryesi u largua për shkak të pakënaqësive të tifozëve. Erdhën drejtues të përkohshëm e më pas kryesi e re. Kryesia e re akuzoi të vjetrën për keqpërdorime financiare, për shpenzim të buxhetit dhe për borxhe të mëdha. Por po ashtu shpalosi synimet për të luftuar për trofe.
Ndonëse me “100 telashe”, Prishtina afroi lojtarë cilësorë të huaj. Megjithatë, mungesa e stabilitetit jashtë parketit ka ndikuar edhe brenda tij. Edhe numri i shikuesve nuk është i madh në palestrën e Pallatit të Rinisë dhe gjitha këto kanë bërë që Prishtina të jetë në pozitë të pazakontë – duke luftuar për mbetje në Superligë.
“Ndeshja e dytë rresht që e humbim në sekondën e fundit. Nuk është e lehtë. Kemi luajtur më mirë, por kemi humbur dy ndeshje në të njëjtën mënyrë. E kemi merituar ta fitojmë këtë ndeshje. Do të provojmë të fitojmë të dielën”, ka thënë trajneri Dubleviq pas disfatës nga Ylli.
Prej “askush nuk do të na mposhtë në shtëpi” ai kaloi në “do të provojmë të fitojmë”.
Tani seria e humbjeve të Prishtinës ka shkuar në pesë ndeshje.
Pas ndeshjes me Borën, e pret Rahovecin 029. Duket pak e besueshme, por mund të jetë ndeshja kryesore e Prishtinës në pjesën e mbetur të kampionatit.
Në fakt gara për të shmangur dy pozitat e fundit është plotësisht e hapur. Dhe Prishtina është pjesë e rëndësishme e saj.