Auto

Tesla urdhërohet të paguajë 243 milionë dollarë për aksidentin fatal me autopilot

Tesla

Një gjykatë në Florida ka marrë vendim që detyron Teslën të paguajë 243 milionë dollarë për viktimat e një aksidenti fatal në vitin 2019 të një Model S të pajisur me autopilot, raportoi të shtunën Reuters.

Vendimi është një fitore e rrallë për viktimat e aksidenteve që përfshijnë autopilot.

Aksionet e Teslas kanë rënë me 1.8% të premten dhe me 25% këtë vit.

Anëtarët e jurisë në gjykatën federale të Miamit i kanë dhënë pasurisë së Naibel Benavides Leon, si dhe ish-të dashurit të saj Dillon Angulo, 129 milionë dollarë dëmshpërblim plus 200 milionë dollarë dëmshpërblim ndëshkues, sipas vendimit.

Tesla u mbajt përgjegjëse për 33% të dëmeve kompensuese, ose 42.6 milionë dollarë.

“Tesla e projektoi Autopilotin vetëm për autostradat me akses të kontrolluar, por me qëllim zgjodhi të mos i kufizonte shoferët ta përdornin atë diku tjetër” ka thënë Brett Schreiber, avokat i paditësve, në një deklaratë.

"Vendimi i sotëm përfaqëson drejtësi për vdekjen tragjike të Naibel dhe lëndimet e përjetshme të Dillon", shtoi ai.

Tesla e ka quajtur të gabuar vendimin dhe ka njoftuar se do të apelojë.

“Vendimi i sotëm është i gabuar dhe vetëm sa pengon sigurinë e automobilave dhe rrezikon përpjekjet e Teslës dhe të të gjithë industrisë për të zhvilluar dhe zbatuar teknologji shpëtimtare”, ka thënë kompania.

Paditësit kishin kërkuar 345 milionë dollarë dëmshpërblim. Avokatët e tyre thanë se gjyqi ishte i pari që përfshinte vdekjen e padrejtë e dikujt si pasojë e autopilotit.

Tesla është përballur me shumë padi të ngjashme në lidhje me aftësitë e automjeteve të saj për drejtim autonom, por ato janë zgjidhur ose janë hedhur poshtë pa u gjykuar.