Dhjetëra policë nga të gjitha rajonet dhe nga Drejtoria e Përgjithshme janë sfiduar të shtunën në disiplinën e auto-sllallomit me vetura elektrike, në një garë të organizuar nga Federata e Auto Sportit të Kosovës (FASK) dhe “Auto Moto Club Kosova”.
Në një komunikatë për media, FASK ka bërë të ditur se qëllimi i garës ka qenë edhe sensibilizimi në luftën kundër kancerit të gjirit.
Në garën me më shumë se 80 pjesëmarrës, fituese doli ish-garuesja e autoklubit Ferizaj, Ermira Topalli, tash pjesë e Policisë në rajonin e Ferizajt.
“Në radhë të pare falënderoj organizatorët për misionin e kësaj gare, pra synimin për ndërgjegjësim në luftë kundër kancerit të gjirit. Po ashtu falënderoj të gjithë kolegët nga Policia e Kosovës për pjesëmarrje kaq masive. Ndërsa, sigurisht jam e kënaqur edhe për fitoren, sidomos nëse e marrim parasysh që konkurrenca ishte shumë e fortë, pasi në finale garuam edhe me meshkuj”, ka thënë ajo pas fitores.

I kënaqur me rrjedhën dhe garën në përgjithësi është shprehur edhe drejtori i garës, Ismet Rexhepi.
“Ishte ditë e gjatë, por e mrekullueshme. Falënderim i madh për Policinë e Kosovës për këtë pjesëmarrje kaq masive. Synimi ynë ishte që sado pak të sensibilizojmë opinionin në luftën kundër kancerit të gjirit dhe kjo ishte më e pakta që mund ta bëjmë për gratë e prekura nga kjo sëmundje. Besoj se edhe në të ardhmen do të organizojmë gara me karakter të tillë”, ka thënë Rexhepi.
Në pozitën e dytën e dytë u rendit Kastriot Ratkoceri nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, ndërsa pozita e tretë i takoi Ram Bobajt nga Rajoni i Prizrenit.
Në garën e konkurrencës së femrave, në tri pozitat e para u renditën: Ermira Topalli nga Rajoni i Ferizajt, Adea Popaj (Rajoni i Prizrenit) dhe Shqipe Osmani – Ademaj nga Drejtoria e Përgjithshme.
Renditja ekipore tek femrat ishte: Rajoni i Ferizajt, Drejtoria e Përgjithshme, Rajoni i Prizrenit, Rajoni i Gjilanit, Rajoni i Mitrovicës, Rajoni i Prishtinës, Rajoni i Pejës dhe Rajoni i Gjakovës.
Në garën e meshkujve më i miri ishte Ram Bobaj nga Rajoni i Prizrenit, ndërsa në podium u ngjitën edhe Kastriot Ratkoceri nga Drejtoria e Përgjithshme dhe Liridon Krasniqi nga Rajoni i Prishtinës.
Ndërsa, renditja e rajoneve ishte: Prizreni, Peja, Drejtoria e Përgjithshme, Prishtina, Mitrovica, Ferizaj, Gjilani dhe Gjakova.
Nga klubi organizator u ndanë edhe 3000 euro për gratë e prekura nga kanceri i gjirit. Gara u organizua në parkingun e qendrës tregtare “Prishtina Mall”.
