Një gjykatë federale në SHBA ka refuzuar kërkesën e Teslas për të rrëzuar vendimin e jurisë që e detyron kompaninë të paguajë 243 milionë dollarë dëmshpërblim për një aksident fatal të vitit 2019, ku ishte i përfshirë sistemi Autopilot, raportoi të hënën Reuters.
Në një vendim të bërë publik të premten, gjyqtarja federale Beth Bloom në Miami deklaroi se provat e paraqitura në gjyq verdiktin e dhënë në gusht 2025 dhe se kompania nuk paraqiti argumente të reja që do të justifikonin rrëzimin e tij.
Çështja lidhet me një aksident të ndodhur më 25 prill 2019 në Key Largo, Florida. Sipas dosjes gjyqësore, George McGee po drejtonte një Model S të vitit 2019 me Autopilot të aktivizuar dhe po lëvizte me rreth 100 km/h, ndërsa ishte përkulur për të kërkuar telefonin që i kishte rënë. Automjeti kaloi nëpër një kryqëzim dhe u përplas me një automjet të ndaluar në anë të rrugës, pranë të cilit qëndronin Naibel Benavides Leon dhe i dashuri i saj, Dillon Angulo. Benavides, 22 vjeçe, humbi jetën, ndërsa Angulo u lëndua rëndë.
Juria federale e pati shpallur Teslan 33% përgjegjëse për aksidentin. Ajo ndau 19.5 milionë dollarë dëmshpërblim kompensues për familjen e viktimës dhe 23.1 milionë dollarë për Angulon, si dhe 200 milionë dollarë dëmshpërblim ndëshkues, që do të ndahen mes tyre.
Ky ishte vendimi i parë i një jurie federale në SHBA për një aksident fatal që përfshinte sistemin Autopilot.
Në kërkesën për rrëzim të verdiktit, Tesla argumentoi se faji i plotë i takonte shoferit, se automjeti nuk kishte defekte. Kompania theksoi se prodhuesit e automjeteve “nuk sigurojnë botën nga dëmet e shkaktuara nga shoferë të pakujdesshëm”.
Nga ana tjetër, avokati i familjes së viktimës dhe i Angulos, Adam Boumel, e përshëndeti vendimin. Sipas tij, “Autopilot ishte me defekt dhe Tesla e vendosi në rrugë përpara se të ishte gati dhe e sigurt”.
Kompania, e drejtuar nga miliarderi Elon Musk, pritet të apelojë vendimin.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo