Japonia ka bërë presion ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të zbatojnë me shpejtësi uljen e tarifave të automjeteve, si dhe kërkoi sqarime mbi taksat për mallra të tjera, raportoi Reuters.
Në një takim me Sekretarin e Tregtisë të SHBA-së, Howard Lutnick, në Uashington të mërkurën, negociatori kryesor tregtar Ryosei Akazawa i kërkoi SHBA-së të zbatojë uljen e tarifave amerikane për automjetet dhe pjesët e tyre japoneze, është bërë e ditur nga qeveria japoneze.
Gjithashtu është kërkuar konfirmimi dhe ekzekutimi i menjëhershëm i marrëveshjes së të dy vendeve mbi taksat amerikane për mallrat e tjera të importuara nga Japonia.
Takimi ndodhi disa orë para se tarifat më të larta të Presidentit Donald Trump mbi dhjetëra partnerë tregtarë të hynin në fuqi të enjten.
Sipas marrëveshjes së arritur muajin e kaluar, SHBA-ja është pajtuar që të ulë tarifat për importet e veturave japoneze në 15% nga taksat që arrinin në total 27.5% më parë, por nuk njoftuan ndonjë afat kohor për hyrjen në fuqi të ndryshimit.