Auto

BMW-ja tërheq rreth 37 mijë modele X3

BMW X3

Kompania gjermane BMW ka njoftuar tërheqjen nga qarkullimi të afro 37 mijë automjeteve të modelit X3 në Shtetet e Bashkuara, për shkak të një gabimi në softuer që mund të shkaktojë lëvizje të paqëllimshme të timonit.

Tërheqja përfshin modelet e viteve 2025 dhe 2026, dhe sipas vlerësimeve të BMW-së, defekti mund të jetë i pranishëm në të gjitha 36,922 automjetet e përfshira në këtë tërheqje.

Problemi shfaqet kur automjeti është i ndalur. Si pasojë e një gabimi softuerik, timoni mund të fillojë të rrotullohet pa e prekur shoferi. Kjo mund të ndodhë si në momentin e ndezjes së motorit, ashtu edhe kur vetura është e ndalur dhe transmisioni është në marsh.

Sipas dokumenteve të Administratës Kombëtare për Sigurinë e Trafikut në Autostrada (NHTSA), nëse një nga dy kanalet e sensorit të asistencës së timonit dështon ndërkohë që automjeti është i parkuar, sistemi mund të mos e identifikojë këtë dështim. Në raste të rralla, kjo çon në lëvizje të rastësishme të timonit.

Rastet konkrete të këtij defekti tashmë janë shfaqur.

Për ta zgjidhur problemin, BMW-ja do të lëshojë përditësim softuerik për sistemin e kontrollit. Në shumicën e rasteve, përditësimi do të instalohet nga distanca përmes teknologjisë “over-the-air” (OTA), pa pasur nevojë për vizitë në servis. Megjithatë, pronarët që dëshirojnë mund ta kryejnë përditësimin falas edhe në një qendër zyrtare shërbimi të BMW-së.