Volkswageni ka shitur mbi 21 milionë Beetle në gjithë botën, por mes tyre një model del në pah si unik. Një ekzemplar i veçantë nga Kalifornia është shitur në ankand për plot 335 mijë dollarë, çmimi më i lartë i arritur ndonjëherë për një Beetle dhe, sipas gjasave, për çdo Volkswagen.
Historia e këtij automjeti nis në vitin 1969, kur importuesi amerikan i Volkswagenit, John van Neumann, punësoi kompaninë e karrocerive Troutman-Barnes në Bregun Perëndimor të SHBA-së për të restauruar plotësisht një Beetle standard. Rezultati ishte një sedan i zgjatur luksoz që kushtonte rreth 35 mijë dollarë në atë kohë — shumë më tepër se Lamborghini Miura, një nga veturat më ekskluzive të asaj periudhe.
Vetura është pajisur me motor 1.6 litra dhe dy karburatorë Weber.
Vetura shkaktoi sensacion në debutimin në Los Angeles Auto Show, dhe më vonë fitoi popullaritet të madh edhe në Hollywood. Thuhet se aktori i famshëm John Wayne është dërguar në ceremoninë e Oscars me këtë Beetle.
Në fillim të ankandit priteshin oferta shumë më të ulëta, por koleksionistët dhe entuziastët e ngritën çmimin përtej çdo parashikimi. Në këtë mënyrë, projekti luksoz i van Neumannit është kthyer në një kuriozitet automobilistik dhe deri më sot mbetet Volkswageni më i shtrenjtë në histori.

