Arbëri

Zyrtari që kurseu pagat përfundon në prokurori

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka gjetur se ka zyrtarë që nuk tërheqin pothuajse fare para nga llogaritë bankare, ku çdo muaj u kalojnë pagat. Në një nga rastet e këtilla, subjekti deklarues i pasurisë, është arsyetuar para Antikorrupsionit se nuk ka nevojë për pagën meqë jeton nga qiraja e një prone që ka dhe nga familjarët në diasporë. Megjithatë, APK-ja ia ka përcjellë prokurorisë lëndën si të dyshimtë

Gjatë shqyrtimit të formularëve të deklarimit të pasurisë, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka identifikuar edhe një kursimtar të madh. 

Në një rast ku subjekt deklarues ishte një zyrtar i Administratës Tatimore, APK-ja ka hasur në diçka të pazakontë. 

Zyrtari S.S ka deklaruar pagë mujore 817 euro, por të cilën ai nuk e ka prekur fare. 

Sipas Antikorrupsionit, S.S. është arsyetuar se nuk ka nevojë për pagën, pasi merr para nga një pronë e lëshuar me qira dhe se financohet edhe nga familjarët në diasporë.

Megjithatë, APK-ja ia ka përcjellë prokurorisë lëndën si të dyshimtë. 

“Subjekti deklarues i ka dërguar edhe disa dëshmi për të hyra nga qiraja, nga kontrata e shitblerjes së pasurisë, të cilat nuk janë deklaruar në formularin e deklarimit të pasurisë për periudhën raportuese, po ashtu ka deklaruar se ka pranuar ndihma financiare nga familjarët nga diaspora. Subjekti deklarues i lartpërmendur dyshojmë se nuk e ka deklaruar pasurinë në pajtim me legjislacionin dhe nuk ka ofruar dëshmi bindëse për shpenzimet dhe të hyrat e tjera, andaj po jua përcjellim këto të dhëna për trajtim të mëtejmë për dyshimet e ngritura nga informacionet e grumbulluara”, thuhet në shkresën që APK-ja ia ka drejtuar Prokurorisë së Shtetit.

Sipas deklarimit në AKP, punonjësi i Administratës Tatimore ka thënë se ka krijuar të ardhura të mira falë punës së babait të tij jashtë vendit për plot 33 vjet.

“Unë kam arritur në familje, çdo kosovar ka pasur familjarë nga kurbeti, ashtu edhe unë kam pasur babën në kurbet për 33 vjet dhe kam trashëguar një të ardhme solide si rezultat i punës së tij jashtë atdheut. Gjithashtu si rezultat i punës së kaluar në kurbet të babait, nëna ime ka pasur të hyra të mjaftueshme dhe pensionin në Kosovë”, ka thënë S.S., në arsyetimin e tij dhënë APK-së.

Po ashtu, ai ka thënë se ende ka përkrahje të madhe nga të afërmit që punojnë jashtë vendit.

“Pas vdekjes së babait tim, motra dhe djemtë e mi që jetojnë jashtë atdheut në gjithë kohën ndihmojnë me të ardhura dhe thuajse të gjitha shpenzimet e shtëpisë i kemi të mbuluara nga ta pasi që unë kam pasur një periudhë të vështirë shëndetësore me bashkëshorten time. Gjithashtu edhe bashkëshortja ime ka të punësuar familjarë të vet jashtë atdheut në Zvicër (2 vëllezër dhe babanë pensionist të Zvicrës) dhe për gjithçka na gjenden afër përmes ndihmave të ndryshme dhe thuajse si rezultat i kontributit të tyre tek ne, ne thuajse nuk kemi pasur nevojë për asgjë dhe na kanë mundësuar edhe të kursejmë më shumë në këtë drejtim”, ka thënë S.S., sipas APK-së. 

Sipas Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, S.S. është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë me të dhe të përgjigjet për çdo euro të kursyer. 

Lënda Prokurorisë së Shtetit i është përcjellë më 19 qershor 2025.

KOHA ka tentuar të marrë një përgjigje nga S.S., por të dielën nuk ia ka dalë.